Një ndër godinat historike të Sarandës u përfshi nga flakët orët e para të mëngjesit të së premtes. Zjarri u përhap me shpejtësi dhe shkrumboi thuajse gjithë ndërtesën e njohur si “bar lulishtja”.
Për shuarjen e flakëve ndërhynë 6 mjete të shërbimit zjarrfikës që pas disa orë pune bën të mundur vënien në kontroll të tyre. Ndërtesa Gjatë shekullit të XlX kjo ndërtesë ishte vendodhja e konsullatave të huaja, ndërsa në shekullin e XX dhe sidomos në vitet 60′-80′ u kthye në lokalin e preferuar të sarandjotëve.
Po aty është luajtur edhe filmi “Dy herë mat”.
Objekti më shumë se 1 shekullor nuk ishte restauruar, ishte dhënë disa herë me qira gjatë demokracisë, por pa i rikthyer asnjëherë shkëlqimin e dikurshëm.
Përveç godinës dëme pësoi edhe pema afro 150 vjeçare e shkrimtarit Naim Frashëri.
Pema e piperit, që u mboll prej tij gjatë kohës që ushtronte detyrën e doganierit në Sarandë rreth vitit 1874, u dogj pjesërisht.
Policia e Sarandës po heton ngjarjen, ndërsa dyshimet e para janë për një zjarrvënie te qëllimshme.
Objekti me një hapësirë rreth 200 m2 me sipërfaqe trualli prej 700 m2 administrohet si pronë nga bashkia por pretendime për pronësinë e sja e ka dhe familja mbretërore.