Rritja ekonomike/ Eksperti: Turizmi lokomotivë zhvillimi, këtë vit presim mbi 5 miliardë euro

schedule14:33 - 2 Prill, 2024

schedule 14:33 - 2 Prill, 2024

SHQIPËRI- Ekonomia shqiptare u rrit me 3.44% vitin e shkuar dhe sektorët që kontribuuan më shumë janë ndërtimi dhe shërbimet. Këto të dhëna janë publikuar nga Instituti i Statistikave, i cili thotë se ndryshe nga se pritej, sektori i bujqësisë po përballet me një frenim.

Eksperti i ekonomisë, Ferjolt Onuzi, i ftuar në “Money Report” thotë se shifrat janë optimiste duke konfirmuar se ekonomia shqiptare do ketë një rritje të qëndrueshme në dhjetë vitet e ardhshme.

“Flasim për një vazhdimësi në këtë rritje dhe kjo është një avantazh për atë se çfarë presin në afatin e afër apo të mesëm. Rritja menjëherë nuk e jep efektin në xhepin e qytetarëve, dhe kjo është shumë pak më e prekshme. Kemi një vit, që vazhdojmë rritjen, ndoshta dhe për arsye inercie, por në tërësinë e vet jemi në hapat e parë për një rritje të qëndrueshme në dhjetë vitet e ardhshme”, tha ai.

Ai shton se turizmi dhe ndërtimi në këtë sektor do të ndikojë në rritjen e të ardhurave.

“Kemi një fluks investimeve në industrinë turistike sa i takon ndërtimit. Ata ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekonominë e turizmit. Turizmi është epiqendra dhe trendi i viteve të fundit në Shqipëri. Turizmi po pompon të ardhura, të cilat nuk kanë qenë më parë në Shqipëri”, tha ai.

Sipas tij, gjatë këtij viti projeksionet janë që nga turizmi Shqipëria përfitojë rreth 5 miliardë euro.

“Shifra prej 4.1 miliardë euro, ndoshta në tregun real, kjo shifër është dhe më e madhe. Paratë kanë hyrë ne ekonominë shqiptare dhe këto janë para që qytetarët shqiptarë i ndiejnë menjëherë. Shpresa është që të kalojmë 5 miliardë euro këtë vit dhe kjo shifër do të variojë nga fakti se si do të menaxhohet industria turistike në Shqipëri. Nuk duhet ta mbajmë dot turizmin masiv, për vetë faktin duke nisur nga mënyra se si kemi infrastrukturën akomoduese, infrastruktura rrugore dhe kjo gjë ndoshta sivjet duhet të zbresë pak, me qëllim që infrastruktura dhe mjedisi të mos ketë ngarkesën e madhe dhe të dimë të bëjmë oferta turistike, që të kenë një vlerë më të kënaqshme”, tha ai.

Pavarësisht hovit që ka përjetuar në vitet e shkuara, sektori i ndërtimit duke se ka hyrë në një trajektore frenuese. Kjo e dhënë sipas ekspertit të ekonomisë vjen për një arsye, e cila lidhet me:

“Ndërtimi e ka krahun e punës të punësuar pothuajse  në 12 muajt e vitit. Kjo rritje e çmimeve në ndërtim dhe ndoshta me mosndikimin e drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve, ka bërë që ndërtimi të ketë një besim në nivele më të ulëta në ekonomi”, tha specialisti./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!