Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, mik i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë, në lidhje me dyshimet për një skandal financiar të tij në Slloveni. Mediat sllovene kishin raportuar vitin e kaluar një skandal të madh financiar të pastrimit të parave, në të cilin ishte I i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Televizioni slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro kesh ishin transportuar nga Mali i Zi për në Slloveni përmes kompanisë së Berishajt. Në xhirollogarinë e kompanisë së Berishajt, MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, një kompani serbe kishte derdhur cdo muaj nga 5 mijë deri në 50 mijë euro. Ambasadori Berishaj dyshohet të ketë marrë pagesa të mëdha nga kompania GEN në Beograd.
Mediat sllovene kanë raportuar se Berishaj e kishte hapur biznesin MB Consulting 10 ditë përpara se t’i derdheshin qindra mijëra euro në llogarinë e tij, të cilat raportohet ti ketë tërhequr në kesh. Golob ishte ndërkohë nën hetim ndërkombëtar për transaksionet financiare nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven, GEN-I, të cilat kishin për adresë kompaninë “MB Consulting” të Martin Berishajt në Mal të Zi. Kryeministri Kurti e kishte mbrojtur mikun e tij.
Mediat në Kosovë raportuan se Berishaj kishte transferuar para edhe per fushatën e partisë se kryeministrit Albin Kurti, Lëvizjen Vetëvendosje. Berishaj po hetohet edhe për raportim të rremë të pasurisë./abcnews.al