TIRANË-“Dhe brenda 31 marsit, 140 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike gati për procesin zgjedhor, në çdo moment”, zotohej Basha.
Shumë ndoshta prisnin që të paktën këtë herë Lulzim Basha të mbante fjalën e dhënë. Por ashtu si në mungesa, sërish Basha nuk zhgënjen në premtimet e pambajtura.
Në 9 shtator, kur mblodhi skuadrën e më besnikëve të tij, Këshillin Kombëtar dhe përmbylli procesin e rikthimit të 4-të në krye të PD-së, kur premtoi se tani Edi Rama duhet të gjente vrimë ku të futej se uragani po mbërrinte, ai beri këtë premtim madhor. Se brenda marsit, do te nxirrte listën e kandidatëve për deputetë.
Por ata të cilët prisnin ta shihnin emrin e tyre për betejën e 2025-ës do të duhet të presin edhe ca. Zyrtarisht sa Basha të mbyllë turin e tij nëpër degë, për të zgjedhur fillimisht kryetarët e asaj bazë që i mbeti, pas përçarjes me Berishën e më pas me ish-bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Bardhin e shumicën e deputetëve.
Pyetja që shtrohet është çfarë pret Lulzim Basha? Pse ende nuk arrin të ketë listën e premtuar të emrave të tij?
Do përsërisë atë që bëri në 14 maj, duke mos nxjerr kandidatë për kryebashkiakë në disa bashki, as lista për këshillat bashkiakë si në Vorë? Bile në disa bashki, duke mos çuar as komisionerë?
Dhe nëse kjo ndodh sërish, përtej faktit se opozita e Bashës është vetëm objekt komik, pyetja tjetër është se kujt i shërben e gjithë kjo strategji? Sinjalet nën zë, se ai është i dëshiruar të bëjë paqe me Berishën, bëjnë eko me deklaratën e tij në shkurt, kur thuajse publikisht shtriu dorën për paqe drejt ballkonit.
“Të paktën të bëjmë një pakt armëpushim me njëri tjetrin”, tha Basha.
Të premten Lulzim Basha dhe partia e tij kanë sërish në dorë të nxjerrë gabim kritiket. Në Himarë do mbahet mbledhja e këshillit bashkiak për të zgjedhur pasuesin e Goros në krye të bashkisë. Në zgjedhjet e 14 majit Partia Demokratike e drejtuar nga Alibeaj mbështeti në heshtje Fredi Belerin.
“Ka qenë një nga bashkitë që ne nuk kemi nxjerrë kandidatë dhe ne kemi lënë që demokratë të vendosnin në të drejtën e tyre për të mos prishur dhe kohezionin”’, u shpreh anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Taulanda Jupi në emisionin “Real Story”.
Të premten PD ka në dorë të tregojë nëse zërat se kreu i saj Basha, do shkojë poshtë ballkonit, apo do bëjë opozitën morale, siç ka premtuar. Shpresa vdes e fundit. Të shpresojmë para se të vdesë opozita./abcnews.al