Në një fjalim të madh për luftën në Ukrainë, presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se konflikti është një provë e qartë për demokracitë në mbarë botën dhe ai e portretizoi rezistencën ukrainase kundër forcave ruse si pjesë e një “beteje të madhe për liri”.
Duke folur më 26 mars në Kështjellën Mbretërore të Varshavës, Biden tha se nuk kishte asnjë justifikim për luftën brutale të agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe bëri thirrje për largimin e presidentit rus Vladimir Putin nga detyra.
“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet,” tha Biden, duke përfunduar fjalimin e tij.
Shtëpia e Bardhë më vonë sqaroi se Biden nuk po kërkonte “ndryshim regjimi” në Rusi.
“Qëndrimi i presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
“Ai nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit.”
Më herët, më 26 mars, ndërsa vizitonte refugjatët ukrainas në Varshavë, Biden e quajti Putinin një “kasap” dhe në fjalimin e tij e quajti një tiran.
Duke iu drejtuar një turme prej rreth 1,000 njerëzish të mbledhur para kështjellës, Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën, duke thënë se Rusia po përpiqej të shtypte demokracinë dhe të rrezikonte fqinjët e saj.
Demokracitë anembanë botës duhet të përgatiten për një “luftë të gjatë përpara” dhe të gjitha vendet liridashëse duhet të angazhohen për të mbrojtur demokracinë për një kohë të gjatë, tha Biden.
“Nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë kosto”, shtoi ai.
Presidenti i SHBA-së tha gjithashtu se pushtimi i Rusisë ka shërbyer vetëm për të forcuar NATO-n dhe Perëndimin, të cilat ai tha se janë “më të bashkuar” se kurrë.
Si rezultat i luftës, tha ai, ka më shumë ushtarë të NATO-s në Europën Lindore, jo më pak, siç kishte kërkuar Rusia, tha Biden. Biden foli gjithashtu drejtpërdrejt me popullin rus, duke thënë se ata nuk janë armiku dhe Putini i ka shkëputur ata nga pjesa tjetër e botës.
/abcnews.al