Drejtuesi i kompanisë Apple përballet me kritika për komentet e tij pozitive ndaj Kinës

schedule07:37 - 27 Mars, 2024

schedule 07:37 - 27 Mars, 2024

Tim Cook, drejtori ekzekutiv i gjigantit amerikan të teknologjisë Apple, po përballet me kritika në Shtetet e Bashkuara për komentet lavdëruese që ai bëri për Kinën gjatë një vizite të fundit në përpjekje për të nxitur shitjet e telefonave inteligjentë iPhone.

Zoti Cook ishte në Shangai për hapjen e dyqanit më të madh të kompanisë Apple në Kinë të premten dhe u takua me përfaqësuesë politikë dhe të biznesit. Ai vlerësoi Kinën si një vend me “gjallëri dhe dinamikë “, në komentet e cituara gjerësisht nga media shtetërore dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

Ndërtimi i dyqanit të ri të kompanisë Apple mori shtatë vjet dhe kushtoi mbi 11 milionë dollarë. Thuhet se është dyqani i dytë më i madh në botë i kompanisë Apple dhe më i madhi në Azi, me rreth 150 punonjës.

Mbrëmjen e së enjtes, të paktën 12 orë para hapjes së planifikuar, para dyqanit ishte krijuar një radhë e gjatë me njerëz.

Përveç shfaqjes së besnikërisë së tyre për produktet e kompanisë Apple, duke blerë pajisje të ndryshme të saj, klientët nxituan të bënin foto me zotin Cook, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së dyqanit.

Dan Ives, një analist i teknologjisë në Shtetet e Bashkaura, tha në platformën X se udhëtimi i zotit Cook në Kinë tregon se Apple do të vazhdojë t’i kushtojë rëndësi tregut kinez.

“Apple në fakt rriti investimet dhe praninë e saj në Kinë vitin e kaluar”, tha ai, “dhe deri në këtë pikë zoti Cook ka qenë në Kinë që nga java e kaluar në një vizitë të rëndësishme për të hedhur bazat për të ardhmen e kompanisë Apple në Kinë. Ai rikonfirmoi strategjinë e kompanisë Apple për Kinën”.
Mediat kineze raportuan të hënën se kompania Apple do të bashkëpunojë me kompaninë kineze të teknologjisë Baidu për të ofruar aftësi të inteligjencës artificiale për iPhone-ët e shitur në Kinë këtë vit. Kompania Baidu nuk i ka konfirmuar këto njoftime.

Megjithatë, jo të gjithë kinezët e duan kompaninë Apple. Një video, që ka marrë shumë klikime në mediat sociale kineze tregon një grua kineze me rroba të verdha, një kapelë bejzbolli dhe një maskë duke u bërtitur njerëzve që ishin në radhë në dyqanin e ri të kompanisë Apple një natë para hapjes së tij, “Ju adhuroni dhe favorizoni gjërat e huaja.”

Një person në radhë e pyeti atë: “A e dini sa vende pune krijon kompania Apple në Kinë çdo vit?”

Gruaja u përgjigj: “Nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi Huawei-n tonë!”
Kjo pasqyron sfidat me të cilat përballet kompania Apple në Kinë. Dërgesat e telefonave iPhone në Kinë ranë me rreth 33% në shkurt krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare, duke shënuar një muaj të dytë radhazi me më pak dërgesa.

Frank Lee nga kompania “Blue Ocean Capital” në Pekin, tha se shumica e përdoruesve kinezë të telefonave iPhone kanë një përvojë të mirë me produktet e kompanisë Apple, kështu që ata vazhdojnë të jenë klientë besnikë të kompanisë. Megjithatë, ka një prirje të qartë të rënies së shitjeve të produkteve të kompanisë Apple për shkak të konkurrencës me kompanitë vendase kineze.

“Unë mendoj se hapja e një dyqani nga Apple në Shangai do të luajë një rol të caktuar në rritjen e shitjeve të saj në Kinë, por nuk mund të ndryshojë rrënjësisht prirjen e përgjithshme të rënies së ngadaltë të përdorimit të telefonave iPhone në Kinë”, tha zoti Lee për Zërin e Amerikës.

Megjithatë, zoti Cook shprehu besimin e tij në tregun kinez. “Unë i dua njerëzit dhe kulturën e Kinës. Sa herë që vij këtu, më kujtohet se gjithçka është e mundur këtu”, tha ai për mediat kineze.

Komentet e zotit Cook janë kritikuar, duke u cilësuar si një lavdërim i trajtimit arrogant nga qeveria kineze të ndërmarrjeve private.

Jonathan Eyal nga Instituti Mbretëror për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Britani, shkroi në platformën X, “”Gjithçka është e mundur” në Kinë, thotë Tim Cook nga kompania Apple. Përfshirë arrestimin dhe shpronësimin. Dhe humbjen e tregut me një goditje të një stilolapsi burokratik.”

Analistët thonë se komentet e zotit Cook nuk ishin të sinqerta. Në vitet e fundit, kompania Apple ka zgjeruar operacionet e saj në Indi. Vitin e kaluar, telefonat e parë iPhone të prodhuar në Indi u prezantuan në tregun global me modelin iPhone 15.

Eli Friedman, profesor i tregut global të punës në Universitetin Cornell, thotë se marrëdhëniet me përfitim reciprok mes kompanive amerikane dhe Pekinit nuk kanë më peshë diplomatike.

“Konsensusi i vjetër se korporatat amerikane mund të shfrytëzojnë punonjësit kinezë dhe Kina mund të përfitojë nga transferimi i teknologjisë nuk po funksionon. Ju premtojë se ofrimi i disa stimujve nga Kina për kompaninë Apple nuk do të ndihmojë në stabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë”, tha ai./VOA

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!