Frashër Krasniqi nga Partia Social Demokrate në Kosovë në një intervistë në emisionin “Ballkan Update” në ABC News foli për situatën politike në Kosovë, duke komentuar edhe marrëdhëniet me Serbinë.
Krasniqi ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se po ndjek një qeverisje populiste. Gjithashtu ai bën thirrje që konflikti me Serbinë të zgjidhet sa më parë dhe se kjo i shërben jo vetëm Kosovës, por edhe Ballkanit për të shmangur konfliktet.
Frashër Krasniqi ndërsa risolli në vëmendje edhe situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, shtoi se edhe Kosova është me të njëjtat probleme etnike pothuajse njësoj si Bosnja.
Problemi kryesor sipas tij që duhet të zgjidhet është tensioni me Serbinë, duke nënvizuar se vendi nuk mund të ecë përpara nëse nuk ka marrëdhënie fqinjësore të mira
“Ne e dimë rolin destruktiv të Rusisë dhe Kinës po ashtu edhe të Republikës së Serbisë. Serbia nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës. Këto zhvillime dëshmojnë që konfliktet mes dy vendeve sidomos kur janë fqinje duhet të zgjidhen në një mënyrë që të mos bllokohet e ardhmja e Ballkanit dhe të Kosova të mbetet peng i një konflikti. Ndërsa sa i përket qeverisë tonë ajo po hedh benzinë në zjarr që ky konflikt të vazhdojë edhe më tej dhe situata të mbetet e tensionuar. Dhe në fund e pësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo bën që vendi të mos eci përpara, ndaj ne si PSD kemi bërë thirrje që konflikti me Serbinë të zgjidhet me një marrëveshje finale., Por ajo që shohim në anën andej kufirit kemi një pushtetar populist, presidentin Vuçiç, që i konvenon tensioni. Po ashtu këtej kemi zotin Kurti që ka sjellë një frymë destruktive. Sa i përket asociacionit të komunave serbe ene e kemi kundërshtuar”, tha ai.