Drejtori i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Altin Tanku thotë se qytetarët duhet ta lexojnë lekun ashtu siç është shkruar dhe jo duke thënë lek i ri, apo lek i vjetër.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Tanku u shpreh se brezi i ri është më i saktë në leximin e lekut.
“Përpjekja vazhdon, është e vështirë. Do ishte mirë t’i referoheshim saktë. Do ishte mirë që të drejtoheshim në mënyrën e saktë. E kemi diskutuar këtë çështje shpesh në konferenca, mund të ketë shumë fenomene, arsye. Jemi duke studiuar reformën e çrrënjosjes. Është një histori e gjatë. Vlen të theksohet rëndësia e edukimit që në vogëli. Marrëdhënia jonë me lekun fillon para se të lexojmë. Fëmija nuk di ta lexojë numrin, gërmën, por ata shohin në psiqikën e vet, pamjen me numrin që i thuhet nga të rriturit. Është çështje sjelljeje, sesa thjesht marrëdhenie financiare me lekun. Brezat e rinj janë më të saktë. Prandaj besojmë se edukimi financiar dhe fokusi në këtë drejtim do të japë rezultate. Çështja vazhdon të mbetet e vështirë, duhet të përpiqemi të gjithë”, theksoi ai.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Adrian Civici deklaroi se është e rëndësishme edukimi që në fëmijëri.
“Vitin tjetër bëhen 60 vjet, nga 16 gushti i 1965 kur u bë ndryshimi dhe aq sa e njohim ne historinë botërore, nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë ndryshuar monedhën dhe të ruajë të njëjtën sjellje siç e ruajmë ne. Jemi rast unik. Po t’i referohemi eksperiencave të disa vendeve, problemi është që në 1695, nuk kishte ndonjë motiv as inflacioni, që ne të bënim ndryshimin. Më tepër ishte që të rinovonim monedhën. Në vitin 1965, 1966, 1667, 1968, në gjithë dokumentet zyrtare, u shtua edhe një kolonë tjetër, leku i vjetër, leku i ri. Kjo krijoi edhe një lloj konfuzioni. Në atë vit që u bë ndryshimi i lekut, prerjet e reja erdhën nga Kina. Njerëzit u ndeshën me një monedhë të re, u quajt leku i ri, sepse ishte monedha e re”, nënvizoi ai./abcnews.al