TIRANË– Banka e Shqipërisë vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit edhe pse inflacioni zbriti në 2.6% gjatë muajit shkurt nën objektivin e vendosur prej 3%. Guvernatori Gent Sejko sqaroi se është ende herët për të marrë një vendim për lehtësimin e politikës monetare.
Por si duhet parë ky vendim i Bankës Qendrore? Gjatë intervistës në “Money Report”, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj u shpreh se ky është një vendim i drejtë, pasi kjo luhatje aktuale nuk do të thotë shumë.
Ajo shtoi se tregu duhet të dëshmojë qëndrueshmëri dhe më pas Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mund të ndërhyjë për të ulur normën bazë të interesit, në varësi të treguesve.
“Vendim i marrë është një vendim i marrë kundrejt rezultatit që kemi aktualisht. Në momentin që ne kemi patur një rënie të inflacionit dhe po vijon të këtë rënie, nuk kemi më një politikë shtrënguese. Akoma është shpejt për ta ulur këtë normë për shkak të pasigurisë. Tregu duhet të tregojë se kjo normë të vijë duke u ulur”, tha ajo.
E pyetur se si do të ndikojë rritja e pagave në sektorin publik, ekspertja tha se kjo automatikisht do të rrisë shkallën e konsumit dhe nuk do të ndikojë në shkallën e inflacionit.
“Gjykoj se rritja e pagave në sektorin publik do ketë shumë pak ndikim të rritja e normës bazë të inflacionit dhe më shumë ndikim do ketë te konsumi. Rritja e pagave do të sjellë më shumë rritje të konsumit”, shtoi Nunaj./n.m.abcnews.al