Meloni në video ‘deepfake’/ Kryeministrja italiane, padi për prishjen e imazhit. Kërkon dëmshpërblim 100 mijë euro

schedule19:41 - 20 Mars, 2024

schedule 19:41 - 20 Mars, 2024

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ngritur një padi civile kundër një 40-vjeçari në Sardenjë dhe babait të tij për prishjen e imazhit.

Konkretisht Meloni, kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim pasi fytyra e saj permes programit dixhital “deepfake”, është vendosur në disa pjesë filmash për të rritur, ku shfaqet ajo si protagoniste.

Videot që kanë trazuar Melonin mendohet të jenë krijuar nga një 40 vjeçar, i cili është tashmë nën hetim së bashku me babanë e tij 73 vjeç. Për çështjen ka nisur një hetim , ndërsa kryeministrja italiane pritet të dëshmojë para gjykatës në Sardenjë më 2 korrik.

Autoritetet kanë njoftuar se kanë arritur të zbulojnë dy të dyshuarit përmes gjurmimit të celularit, nga ku janë publikuar edhe videot e trukuara. Sipas aktakuzës, videot u postuan në një uebsajt pornografik amerikan, ku ato u panë “miliona herë” gjatë disa muajve.

Publikimi i këtyre pamjeve të Giorgia Melonit ka ndodhur para se ajo të emërohej kryeministre e Italisë në vitin 2022.

Ekipi ligjor i Melonit tha se dëmshpërblimin prej 100 mijë euro që do të fitojë nga kjo padi, kryeministrja do ta kalojë si fond për të mbështetur gratë viktima të dhunës nga burrat.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!