Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Eduart Ndreca, duke komentuar dakordësinë me Rithemelimin për ngritjen e dy komisioneve hetimore, tha se është respektuar Kushtetuta. Në një intervistë për “Special Report”, Ndreca u shpreh se opozita është dakordësuar edhe për amnistinë penale.
“Në të gjitha diskutimet, edhe informale, anëtarët e opozitës ishin të bindur se të gjitha kërkesat për komisione hetimore ishin të pamundura, qoftë nga infrastruktura njerëzore apo aspekte të tjera. Aq më tepër që PS ngulmonte në respektin ndaj kushtetutës. Besoj se sot kemi rënë në një dakordësi duke ndjekur parimin e respektimit të kushtetutës. Fatmirësisht sot kemi një drejtësi të re që funksionon e pavarur, drejtoju dhe mundohu të arrish rezultatet nëse ke faktet tuaja. Për mua gjithçka që opozita ka pasur kundër këtyre dy çështjeve janë thënë në sallën e Kuvendit, kanë rrjedhur akuzat lumë, të vërteta apo të pavërteta, dhe nuk besoj se mund të ketë një degë tjetër ku të kapet opozita për të ndërtuar një kauzë në komisionet hetimore. Kemi rënë dakord se ka qenë këmbëngulja e tyre për disa komisione, i kemi sinjalizuar në aspektin e kushtetutës dhe nesër besoj se do të miratohen”, tha Ndreca.
I pyetur për amnistinë penale, Ndreca tha se nuk përjashtohet as mundësia që të miratohet në seancën e nesërme.
“Besoj se është në fazat e fundit të dakordësisë mes grupeve. Nuk di të them saktësisht se kur por jam i bindur se do kalojë sepse është amnisti e detajuar, mirëmenduar në aspektin ligjor dhe mjaft e pritshme për qytetarët. Mund të mos e përjashtojmë edhe nesër, mund edhe të jetë”, tha Ndreca.
Sa i përket nënkomisionit në varësi të Komisionit të Ligjeve për Reformën Zgjedhore, Ndreca shtoi:
“Besoj e dëgjuat edhe vetë kryeministrin përballë gazetarëve në lidhje me këtë iniciativë të përbashkët mes dy grupeve që ranë dakord, ngritja e një komisioni që merret me ligjet që kërkojnë 84 vota. Akoma nuk është dakordësuar përfundimisht çështja e emrave. Mundet që amnistia të jetë pjesë e këtij diskutimi. Në diskutimet me kolegët e opozitës, kanë qenë dakord me gjithçka është miratuar në amnisti dhe çdo akuzë që hidhet aty është e pavërtetë.”
Pyetjes nëse do të ketë bashkëpunime të tjera me opozitën, ai iu përgjigj: “Çdo nismë që vjen në shërbim të më të mirës do të diskutohet dhe kalojë në hallka të tjera për shqyrtim.”/abcnews.al