Feta Fetai një “Modric” i ri, “ylli” i “Shpresa” tregon emocionet e ftesës nga Kombëtarja U21

schedule14:16 - 19 Mars, 2024

schedule 14:16 - 19 Mars, 2024

Është dalluar që në moshë të vogël. Një shqiptar trupvogël nga Çairi i Shkupit është kthyer sot në një objekt admirimi dhe vëmendjeje në Kroaci.  Feta Fetai, mesfushori 18-vjeçar, pasi shkëlqeu në futbollin e moshave të Maqedonisë së Veriut, u bashkua me skuadrën e Lokomotiv Zagreb, , në Ligën e Parë kroate, ku gjithashtu arriti të shkëlqejë.

Performancat e tij fantastike nuk kanë shpëtuar pa u vënë re edhe nga tekniku i Kombëtares U21, Alban Bushi, i cili i bëri “ftesën”, në kuadër të përballjeve kualifikuese të Euro 2025, ndaj Zvicrës e Finlandës, teksa për mikrofonin e ABC News ka treguar edhe emocionet e grumbullimit të parë me ngjyrat “Kuqezi”.

“Është kënaqësia më e madhe të luash për Kombëtaren e Shqipërisë dhe padyshim kënaqësia më e madhe e çdo shqiptar. Ftesë kam patur edhe nga Maqedonia e Veriut U21, interesim ka shfaqur edhe Kroacia, por në fund zgjodha të luaja për Shqipërinë”.

Mediat kroate dhe vetë Bushi e kanë cilësuar “Modric i ri”.

“Pozicioni im ngjason me atë të Modric, por në fund të fundit, ai është një ‘tjetër klasë’, por jam i mendimit se me punë gjithçka mund të arrihet, nëse ke dëshirë mund të arrish shumë më lart. Deri tani i ngjasoj, pasi pikë të fortë kam pasimin, vizionin e lojës dhe vrapimin”.

Si po i shkon aventura në Ligën e Parë të Kroacisë?

“Gjithçka po shkon shumë mirë. Prej 8 muajsh po luaj në Kroaci. Ka shumë shqiptarë, që më kanë ndihmuar. Një prej tyre është edhe shoku i Kombëtares, Jon Mersinaj. Jam i kënaqur si po shkon dhe shpresoj të shkojë edhe më mirë”.

Fetai bën një parashikim edhe për kombëtaren në Euro 2024.

“Besoj se është një ekip i mirë. Janë lojtarë me emër dhe besoj se do të ketë rezultate të mira dhe shpresoj, që pse jo të kalojnë në fazën me eleminim direkt”. /i.m /abcnews.al