Është vendosur nën urdhërat e trajnerit, por nuk ka asgjë të sigurt. Myrto Uzuni është një “dyshim” i Kombëtares shqiptare për miqësoret ndaj Kilit e Suedisë, ndonëse nuk ka ngurruar të paraqitet në grumbullim, teksa sipas burimeve pranë ekipit, sulmuesi i Granada I ka sqaruar stafit mjekësor se ka një dëmtim, dhe se në La Liga e kanë detyruar të luante falë efektit të gjilpërave.
Sylvinho dhe mjekët kanë vendosur të tregohen të kujdesshëm, ndërsa nuk dihet sesa mund të aktivizohet Uzuni në dy ndeshjet e 22 e 25 marsit. Ndërkaq, kombëtarja është plotësuar vetëm këtë të martë me ardhjen e Qazim Laçit dhe Naser Alijit, që kanë pasur ndeshje me skuadrat e tyre në Evropë, teksa të hënën, i fundit mbërriti Nedim Bajrami që erdhi në kohë për të marrë pjesë në seancë.
Ndër lojtarët e pranishëm në ekip, në mënyrë të veçuar u stërvit “fantazisti” i Dinamo Zagreb, Arbër Hoxha, i cili ka pasur ngarkesë për shkak të ndeshjeve radhazi në kampionat dhe në Conference League, teksa nuk mori pjesë në ndeshjen e kontrollit ndaj “Shpresave”, me sfidën që u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit”. /i.m /abcnews.al