Palestina në Lojërat Olimpike, Omar Ismail, i pari që kualifikohet nga artet marciale

schedule12:36 - 19 Mars, 2024

schedule 12:36 - 19 Mars, 2024

Ishte i pari që fitoi “biletën” e deri më tani është i vetmi. Omar Ismail i dha Palestinës një kualifikim të merituar dhe shumë emocional në Lojërat Olimpike të këtij viti, duke arritur kështu suksesin e radhës në tapet, me kampionin e sportit të taekuondos, që siguroi pjesëmarrjen në Paris 2024 duke fituar në një turne kualifikues aziatik të zhvilluar në Kinë.

Ai mori pjesë në peshën deri 58 kg, duke mos qenë favorit për të triumfuar, por gjithsesi i mposhti rivalët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Afganistani dhe Arabia Saudite, duke siguruar kështu “biletën” e dytë për Palestinën në Olimpiadë, teksa konkurruesi në disiplinën e kalërimit nuk është përcaktuar ende dhe do të shkojë në Francë me ftesë.

Suksesi i kampionit të arteve marciale është një lajm i gëzueshëm, sado i vogël, për një komb që po kalon vuajtje të jashtëzakonshme që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamass drej Izraelit. Ndërkaq, kujtojmë se Palestina ka marrë pjesë edhe më parë në Lojërat Olimpike, teksa u bë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në 1995 dhe mori pjesë në Olimpiadën e mbajtur në Atlanta në 1996, ndërsa në Tokio pati 5 sportistë. /i.m /abcnews.al