Gjyqi për Paplekaj në Apel, vrasësi i Pjerin Xhuvanit vazhdon procesin me drejtësinë

schedule13:11 - 18 Mars, 2024

schedule 13:11 - 18 Mars, 2024

Këtë të hënë në Gjykatën e Apelit do të zhvillohet seanca për Arbër Paplekajn, për të cilën është vendosur rihapje pjesërisht e procesit.

Seanca pritet të mbahet në orën 13:30. Paplekaj akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.

Arbër Paplekaj është dënuar me 22 vite burg.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja ndodhi në lagjen “5 Maj” të qytetit të Elbasanit. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani ndërsa të plagosur mbetën një efektive policie Xhensila Sota, edhe tre persona të tjerë.

Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia.

Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.

Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në policia ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje.

/abcnews.al/