Çlirim Gjata, Sekretari Juridik i Partisë Demokratike, ishte i ftuar sot në Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori. Gjata foli për krizën politike dhe stretegjinë që do të ndjekë opozita më tej deri në arritjen e një zgjidhjeje. I pyetur nga gazetarja Mirela Milori se, a po bën parlamenti rolin e drejtësië, Gjata tha se aktualisht parlamenti është duke i lejuar vetes të bëj çdo ligj, pasi nuk ka kush ta kontrollojë, kjo si pasojë e mosfunksionim të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
“Parimisht, parlamenti bën ligje dhe pastaj është gjykata ajo që bën kontrollin. Çështja nuk është te bërja e ligjeve nga ana e parlamentit, këtu problemi është që nuk ka kontroll. Duke mos pasur kontroll, duke mos pasur gjykatë kushtetuese e të lartë, duke patur një trupë gjyqësore të shpartalluar edhe psikologjikisht, e cila ka rënë në batakun “o do iki nga vettingu, ose do i shërbej qeverisë”, kështu që është larg të qënit si organ drejtësie, si gjykatë. Me një prokurori totalisht të kapur nga ana e kryeministrit, duke filluar nga prokurorja e përgjithshme, me ndikimin e tij edhe në organet e reja të drejtësisë, kulmi ishte kur kryeministri me zëvendës ministrin sulmuan prokurorë e gjykatës se arrestuan një nënpunës dhe KLGJ nuk u ndje e nuk bëri asnjë deklaratë. Pra parlamenti bën ligje dhe i zbatojnë dhe i kontrollojnë gjykatat, e larta dhe ajo kushtetuesja që tani nuk ekzistojnë. Atëherë tani parlamenti i lejon vetes të bëj çfarë ligji të dojë dhe e ka tejkaluar funksionin e vet kushtetues, pra nuk ekziston më ndarje pushtetesh, vetëm 1 pushtet, që është parlamenti i cili sundon mbi të gjithë”, tha Gjata.
Më tej Gjata tha se PD ka informacion se ditën e nesërme do të shohë procedurën se si ka hetuar prokuroria rastin e Agim kajmakut dhe kjo sipas Gjatës është një shkelje e rëndë e ligjit. Gjata theksoi se KQZ nuk mund të bëj hetimin dhe nuk mund të kontrollojë prokurorinë.
“Kemi informacion se KQZ do të shohë ditën e nesërme se si ka hetuar prokuroria. Dua të them se kjo është një shkelje e madhe ligjore. Pushtetet janë të ndara, prokuroria bën hetimet, vetëm gjykata e kontrollon hetimin e prokurorisë. KQZ nuk mund të bëj hetimin e hetimit, nuk mund të kontrollojë prokurorinë, thjesht heq mandatin. Ç’punë ka KQZ të komentojë ishte a s’ishte vepër penale ajo që bëri Kajmaku? E dyta, ligji për dekriminalizimin e ka të shprehur qartë, që duhet të deklarosh çdo gjë, je i detyruar ti shkruash. Fakti që nuk i ka shkruar në formular, të çon në ndjekje penale deri në 4 vjet burg, dhe këtë KQZ e di mirë”, deklaroi Gjata./abcnews.al