Mund të jetë ndoshta më i miri që kemi. Kombëtares shqiptare këto kohë nuk i mungojnë të talentuarit e të dalluarit, por njëri prej tyre është padyshim veç. Flasim për Berat Gjimshitin, kapitenin “Kuqezi” që po zhvillon një tjetër sezon të shkëlqyer tek Atalanta.
Pas disa vitesh si titullar i padiskutueshëm, si autor golash dhe si kontribues i madh që “Bergamaskët” të shkëlqenin në Itali dhe në Evropë, 30-vjeçari nuk po e ul ritmin. Në një stinë sportive, në të cilën Atalanta pretendon sërish kualifikimin në Champions nga Seria A, dhe ka objektiv çerekfinalet e Ligës së Europës, Gjimshiti është lojtari më i palodhur.
Trajneri Gasperini e ka aktivizuar më shumë se gjithë të tjerët dhe shqiptari nga Lugina e Preshevës numëron 35 ndeshje dhe 3 028 minuta. Të vetmit që mund të krahasohen me kapitenin kuqezi janë të tillë si Ederson me 2 868 minuta, De Roon me 2 804, Koopmeiners me 2 645 dhe Scalvini me 2 538 minuta.
Edhe një lojtar kaq i dalluar si De Ketelaere ka në këmbë këtë sezon pak mbi 2 000 minuta. Gjimshiti ka arritur të shënojë edhe gol, dhe është padyshim shtyllë e mbrojtjes, ndërsa Atalanta luan sonte në orën 21:00 në fushën e saj ndaj Sporting Lisbon në Europa League, me italianët, që janë favoritë për kualifikimin pas barazimit 1-1 në Portugali. /i.m /abcnews.al