Pas dy humbjeve radhazi, Boston kthehet te suksesi në NBA, duke kaluar sipas mënyrës së tij krizën e vogël të ndeshjeve të fundit. Celtics triumfuan në transfertën e Phoenix, duke imponuar shifrat 117-107, falë dyshes së yjeve Jayson Tatum dhe Jaylon Brown, me të parin, që e mbylli sfidën me dy shifra dopjo, 29 pikë dhe 10 topa në tabelë, ndërsa tjetri i shtoi 27 pikë fitores së skuadrës së tij.
Nga ana tjetër, paraqitja spektakolare e Kevin Durant nuk mjaftoi për Suns, teksa i kthyer në kohët e tij “të arta”, ylli vendas shënoi 45 pikë, kapi 10 topa në tabelë dhe dha 6 asist. Në fund festa ishte për Boston që kthen distancën e sigurisë në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes me tetë fitore më shumë se ndjekësit më të afërt.
Nuk ndalen as kampionët në fuqi të NBA. Denver tregoi edhe një herë forcën me fitoren e madhe 142-121 ndaj Utah Jazz. Jamal Murray ishte njeriu i triumfit për Nuggets, teksa me 37 pikë, ai ishte shënuesi më i mirë i sfidës. Nuk qëndroi në hije as Nikola Jokic, që i shtoi 26 pikë fitores së Denver, që ngjitet në vendin e dytë të Konferencës së Perëndimit.
Kriza ka kaluar edhe për Dallas, teksa pas pesë humbjeve,Mavericks siguruan fitoren e dytë radhazi, duke kaluar 142-124 transfertën kundër Detroit Pistons. Luka Doncic dhuroi një tjetër paraqitje spektakolare me tre shifra dopjo, me basketbollistin slloven, që shënoi 39 pikë, kapi 10 topa në tabelë dhe dha po aq asist e me këtë fitore, Dallas ka forcuar pozitat në vendin e tetë të Konferencës së Perëndimit, çka do të thotë edhe një vend në fazën e “play-off”. /i.m /abcnews.al