Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), Bill Burns, ka udhëtuar përsëri në Lindjen e Mesme, sipas një zyrtari amerikan dhe një burimi tjetër të njohur me udhëtimin.
Udhëtimi i Burns vjen pasi negociatat për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gaza duket se janë në një bllokim dhe nuk ka gjasa të zgjidhen përpara fillimit të muajit të Ramazanit.
Burimi tha se Burns ishte në Egjipt të mërkurën përpara se të udhëtonte për në Katar të enjten, raporton CNN. Burns nuk pritet të ndalet në Izrael në këtë udhëtim, tha zyrtari amerikan. Gjithashtu, me gjasë nuk do të ketë një takim në format “katër” me shefat e inteligjencës egjiptiane dhe izraelite dhe kryeministrin e Katarit, siç ndodhi në Paris dy javë më parë.
Burns ka udhëhequr përpjekjet e administratës Biden për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
Ai u takua me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, në Uashington në fillim të kësaj jave. Katari dhe Egjipti janë bashkëbiseduesit kryesorë me Hamasin dhe bisedimet janë zhvilluar në Kajro këtë javë.