Macron: Aspirata e Moldavisë për t’u bashkuar me BE-në, sfidë për Rusinë e Putinit

schedule08:26 - 8 Mars, 2024

schedule 08:26 - 8 Mars, 2024

Aspirata e Moldavisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është një “sfidë” për Rusinë e udhëhequr nga Vladimir Putin, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

“Franca dhe BE-ja janë me ju për të ndihmuar Moldavinë të arrijë këtë fat evropian”, tha Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me homologen e tij moldave Maia Sandu në Paris.

“Realiteti demokratik i Moldavisë dhe aspirata e saj për një të ardhme evropiane, siç është ajo e Ukrainës, përfaqëson një sfidë për Rusinë e Vladimir Putinit, (që Moldavia) të zhvillohet në portat e saj një model tjetër… në vend të indoktrinimit të mendjeve, vrasjes së kundërshtarëve politikë, revizionizmit historik, mbikëqyrjes së shoqërisë dhe luftës imperialiste ndaj fqinjëve”, tha Macron.

Ai përsëriti mbështetjen e Francës për Moldavinë në rrugën e saj drejt BE-së dhe përshëndeti reformat e zbatuara.

Macron u zotua se bashkëpunimi do të vazhdojë në fusha të tilla si lufta kundër sulmeve kibernetike dhe dezinformimit.

Maia Sandu, nga ana e saj, falënderoi Francën për mbështetjen e saj, veçanërisht “në mbrojtje që nga pushtimi i Ukrainës”.

“Ukraina nuk është dorëzuar. As Evropa nuk duhet”, tha Sandu.

Pas konferencës për shtyp, midis Francës dhe Moldavisë gjithashtu u nënshkrua një pakt sigurie.