Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë intervistës për “Special Report”, deklaroi se gjatë këtij viti shkollor do të nisë ndërtimi i 40 objekteve arsimore të reja. Për gazetarin Arlind Isa, ministrja theksoi se objektet e reja do të jenë në 30 bashki të vendit, të cilat do të jenë me infrastrukturë të modernizuar.
“Plani ynë për vijimin e investimeve në objektet arsimore, edhe në këtë vit 2023-2024 do të prekë më shumë se 40 objekte arsimore ndërkohë që pritet të përfundojnë 100 objekte arsimore, jo vetëm shkollla, por edhe kopshte dhe terrene sportive dhe palestra. 40 kantiere të reja që do të hapen këtë vit, do të jenë më shumë 30 bashki të vendit ku vlerësojmë që do të ketë përmirësim të insfrastrukturës por edhe zgjerim të kapaciteteve ku duhet. Po mundësojmë që të kemi më shumë kabinete për mësimin praktik dhe laboratorë e IT dhe smart clube.”, tha Manastirliu.
E pyetur për fshatrat, ministrja tha se ka një plan konkret, atë të rajonalizimit dhe optimizimit të shkollave.
“Ka një adresim dhe plan konkret, ai i rajonalizimit dhe optimizimit të shkollave, dua të falennderoj me zemër 35 mijë mësues dhe pedagogët tanë por edhe që bëjnë orë rrugë për të dhënë mësim në fshatra të largët. Dua të shpreh mirënjohjen për sakrificën e tyre ashtu sikurse të gjithë bëjnë. Plani ynë për rajonalizimin dhe optimizimin e shkollave konsiston në faktin e përqendrimit në shkolla unike të atyre strukturave që kanë ngelur me pak nxënës në klasa. Për ne është i rëndësishëm arsimi cilësor, që fëmiëjt të marrin të gjithë programet mësimore dhe me mësuesit e lëndëve specifike, duke garantuar një organizim të mirë territorial, transportin dhe standartet më të mira të infrastrukturës shkollore.”, tha ajo./abcnews.al