Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic e konsideroi të ekzagjeruar tezën se në mungesë të Bashkimit Europian, Serbia po flirton me Kinën dhe Rusinë. Ajo theksoi se investimet më të rëndësishme kineze janë bërë në Europën Perëndimore.
Është një lojë që luhet në një fushë neutrale në Athinë. Edhe gjatë forumit dy ditor ndërkombëtar për bashkëpunimin mes Europës dhe Ligës Arabe në Greqi, vëmendja u përqendruar tek integrimi europian i Ballkanit Perëndimor. Një lojë, e cila nëse nuk konsiderohet e humbur, të paktën është e kompromentuar. Në dalje të Maksimos Mansion, selisë zyrtare të qeverisë greke, kryeministrja serbe Ana Brnabic, shprehu shqetësimin e saj për sa i përket negociatave me Bashkimin Europian.
“Duhet të them se procesi shpesh është shumë i dhimbshëm dhe i lodhshëm. Cdo gjë varet nga sfidat e brendshme të Bashkimit Europian. Të thuash se nuk mund të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për fat të keq, sipas meje përkthehet, në faktin se kur Bashkimi Europian të vendosë se sa kapituj do hapen për Serbinë, do të jetë shumë konservatore për këtë çështje, pavarësisht reformave që po ndodhin në Serbi”.
Ekuilibrat gjeopolitikë po spostohen pra në lindje, ashtu si lë të kuptohet dhe marrëveshje për tregtinë e lirë mes Beogradit dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, e firmosur nga kryeministrja serbe në Mpskë. Boshllëku në perëndim mund të mbushet nga Rusia dhe Kina dhe pse Brnabic nuk e konsideron si një zgjedhje eksluzive.
“Ajo që ëshët e rëndësishme për ne është që të kemi partner në të gjithë botën. Për këtë arsye dëshiroj të marr në konsideratë dhe marrëveshjen për tregti të lirë që firmosëm të premten e kaluar me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik në Moskë. Nuk e konsideroj si një faktr në kundërshtim me anëtarësimin në Bashkimin Europian apo me rrugën tonë drejt Bashkimit Europian. E konsideroj plotësues. Edhe një herë e përsëris, për sa i përket influencës së Kinës apo Rusisë, mendoj se po ekzagjerohet”.
Horizonti i 2025-ës, i fiksuar nga Komisioni Europian, për integrimin e Serbisë, duket se një rrugë e mbushur me pengesa. /ABC news Albania 24/7