Liguria zyrtarizon fushatën për rikthimin në shtëpi të Alvinit të bllokuar në Siri

schedule10:12 - 30 Tetor, 2019

schedule 10:12 - 30 Tetor, 2019

Rajoni i Ligurias në Itali merr përsipër të mundësojë rikthimin e Alvin në Itali. Asambleja e përgjithshme miratoi krijimin e një këshilli që do të nisë procedurat në ministrinë e jashtme italiane. Do të mundësohet dhe krijimi i një dialogu mes ambasadës italiane dhe asaj shqiptare në Turqi, si vendi më i afërt me Sirinë ku mbahet i bllokuar Alvin.

Asambleja e përgjithshme e Ligurias në Itali miratoi në mënyrë unanime propozimin e zëvendës kryetarit Paolo Ardenti dhe të këshilltarit Alesandro Puxhioni të Legës për të risjellë në Itali, Alvin, fëmijën shqiptar që mbahet në një kamp burg në Siri.

Të dy iniciatorët shpjeguan se në dhjetor të 2014-ës, Alvin, i lindur në Itali dhe banues në provincën e Lekos, u rrëmbye nga nëna e tij në moshën 6 vjeçare dhe u çua në Siri për t’u bërë pjesë e ISIS.

Në fund të muajit qershor Kryqi i kuq i dorëzoi letrën e Alvin babait të tij, i cili jeton në Itali, ku ai kërkon të rikthehet në Itali.

Disa ditë më parë çështja ishte dhe në qendër të një reportazhi të Le Iene të Mediaset, të cilët e gjetën Alvin në një kamp burg për terroristë të lidhur me Isis dhe që kontrollohej nga kurdët.

Pavarësisht se fëmija u gjet, ka shumë problematika burokratike dhe diplomatike që e ndalojnë babain e tij ta marrë me vete djalin.

Alvin është shtetas shqiptar, por ka lindur dhe është rritur në Lombardi ku jetojnë babai dhe motrat e tij

Jetim nga nëna ai jeton i vetëm në kampin në Siri, me një luftë tjetër për t’u përballur dhe pasoja rënda psiko – fizike për të ardhmen.

Për këtë arsye me miratimin e kësaj iniciative, Rajoni i Ligurias do të jetë përfaqësuese në ministrinë e jashtme italiane për të bërë të mundur që të bëhet gjithçka që kjo situatë dramatike të zgjidhet. Kjo duke mundësuar dialogun diplomatik mes ambasadës italiane dhe shqiptare në Turqi, si vendi më i afërt me Sirinë ku mbahet fëmija. /abcnews.al