Luftëtari nuk i mjaftojnë vetëm rezultatet e dobëta për të trazuar ambientin në kampin bluzi. Humbja e fundit me Tiranën në shtëpi ka sjellë edhe pezullimin e një prej lojtarëve titullarë, sulmuesit Realdo Fili.
Pas ndeshjes, fieraku hodhi poshtë zërat për një debat me tifozët, ndërkohë që tashmë ka zhvillime të reja. Supersport raporton se Fili është derguar te moshat e Luftëtarit për momentin.
Nuk dihet sa kohë sulmuesi do të qëndrojë larg ekipit të parë. Gjirokastritët, në gjendjen që janë, kanë nevojë për shërbimet e Filit, i cili është edhe shënuesi më i mirë i skuadrës me tre gola.
Sqarimi i Filit disa ditë më parë:
“Sqarim për të gjithë publikun gjirokastrit dhe atë shqiptar: Tifozët janë pjesa më e rëndësishme e futbollit, prandaj jam i detyruar të përgënjeshtroj që kam pasur një përplasje me tifozerinë tonë.
I gjithë tensioni ka ardhur si pasojë e rezultateve dhe në bisedën tonë me tifozët, kam kërkuar durim dhe mbështetje prej tyre (siç kanë bërë gjithmonë) deri në momentin e kthesës.
Unë si lojtar profesionist respektoj çdo tifozeri dhe i falënderoj për mbështetjen, si dhe për kritikat. Faleminderit!”/abcnews.al