Kundër diskriminimit/ Njeriu përballë të drejtës për t’u trajtuar i barabartë me të tjerët

schedule13:15 - 3 Mars, 2024

schedule 13:15 - 3 Mars, 2024

Diskriminimi mbetet një fenomen shqetësues, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme kundër tij. Në shoqërinë e sotme njerëz të caktuar zhvlerësohen nga të tjerë për shkak të gjinisë, ngjyrës, besimit fetar,  përkatësisë etnike apo orientimit seksual vijon. Një pjese e tyre fitojnë në këtë duel, por të tjerë nuk ia dalin. Psikologë e sociologë thonë  se pasojat në personalitetin e këtyre individëve mund të jenë të renda kundër diskriminimit njeriu përballë të drejtës për t’u trajtuar i barabartë me të tjerët.

Ndonëse situata ka ndryshuar vitet e fundit, diskriminimi vijon të mbetet shqetësim në shoqërinë shqiptare. Format e diskriminim janë nga me të ndryshmet si gjinia, statusi ekonomik, besimi fetar, vendbanimi, raca apo orientimi seksual.

Roxhers Lufta është 28 vjeç, jeton në Tiranë dhe është anëtar i komunitetit rom. Roxhersi është shkolluar dhe integruar në shoqëri, duke kapërcyer shumë barriera. Për të ardhur deri këtu thotë se ka kaluar një sërë sfidash dhe nuk janë të rralla rastet kur është përballur me diskriminimin.

“Fëmijëria ime deri në këtë moshë ka qenë me sfidat. Edhe diskriminimi ka qenë pjesë e jetës. Duke filluar që nga gjuha që kanë njerëzit me ty, që në klasë të parë edhe më tutje drejt punësimit që ka qenë një sfidë më vete për të gjetur një ambient të përshtatshëm”, tha ai.

Roxhersi është ndjerë i diskriminuar në forma të ndryshme.

“Disa nga etiketimet që përdoren dhe janë përdorur ndaj meje janë fjala o ky personi që i përket atij grupi, ose ndonjëherë që të thonë për tu dukur më mirë, o po ti nuk je si ata. Kjo është akoma ndasi shumë më e keqe sepse unë i përkas komunitetit rom dhe unë e pranoj me krenari që jam rom. Problemi është se nuk mund të më ndash mua nga ky komunitet duke më thënë që nuk je si ata. Unë jam ata, kam pasur mundësi më shumë për t’u arsimuar”, u shpreh ai.

Ndryshe nga shumë të rinj të komunitetit të tij, 28- vjeçari ka sot një punë, por siç thotë ai shumë të rinj të tjerë të këtij komuniteti e kanë të vështirë të gjejnë punë. Disa herë për shkak të mungesës së arsimimit, por herë të tjera edhe për shkak të diskriminimit për shkak të ngjyrës.

“Diskriminimi i fshehtë është edhe më i vështirë. Kur ti shkon aplikon për një punë dhe në momentin që e vënë re se je i kësaj pakice, të thonë do të marrim në telefon dhe ajo telefonatë nuk vjen kurrë. Ose ka raste kur thonë e kemi gjetur punëtorin”.

Sociologët thonë se diskriminimi është i pranishëm çdo ditë në shoqërinë shqiptare. Në jo pak raste kjo sjellje ndaj një grupi të caktuar apo individi ka shkaktuar edhe pasoja fatale.

“Diskriminimet janë të shumta që nga gjërat më të ulëta. Ndodh edhe sesi ti vishës, çfarë ha, çfarë telefoni ke, çfarë makine ke, çfarë gjendje ke. Dashje pa dashje ne diskriminohemi në përditshmërinë tonë. Të gjithë diskriminojmë në forma të ndryshme. por janë forma që kalojnë lehtshëm. Por nëse kalon në forma të rënda pastaj mund të kalojë edhe në fatalitet, siç kemi rastet e fundit që janë diskriminuar apo bullizuar në rrjetet sociale dhe kanë humbur edhe jetën”, tha Marsela Lekli.

Diskriminimi prek shpesh edhe personat me aftësi të kufizuar.

“Po shohim shumë që një target grup i caktuar që diskrimohen shumë qoftë nga shoqëria por edhe nga familja. Kemi raste që janë braktisur nga prindërit sepse kanë pasur problem të shëndetit mendor. Ne kur ndjehemi të diskriminuar nga një pjesëtar i familjes si mund presim si do të reagojë një komunitet i caktuar”.

Gruaja vijon të diskriminohet në Shqipëri për shkak të gjinisë, pra e të qenurit femër. Në zonat e thella dhe ato rurale ky fenomen është thuajse i kudogjendur dhe arrin deri në dhunë ndaj grave në familje.

Nga ana tjetër, sociologët thonë se diskriminimi me bazë krahinore që ka qenë shumë i dukshëm në Shqipëri vite më parë vite ka ndryshuar, për shkak se shoqëria shqiptare është tashmë më e hapur dhe lëvizjet demografike në tre dekadat e fundit e kanë bërë popullsinë heterogjene në shumicën e zonave urbane. /abcnews.al