Analisti Skënder Minxhozi tha se samite të tilla, si i sotmi për Ukrainën që po mbahet në Tiranë, janë një “shkollë” për vendin tonë. Duke u ndalur edhe te kërkesa e kryeministrit Edi Rama për të mbajtur një samit të NATO-s në vitin 2027, analisti theksoi se formate të tilla rrisin imazhin e mirë të vendit tonë.
“Është një shkollë edhe për ne si shtet që të organizojmë formate të tilla shumë impenjuese. Në të kaluarën nuk kemin qenë të zotët dhe tani me afirmimin ndërkombëtar, hyrjen në NATO, avancimin gradual drejt BE, rolin rajonal që kemi marrë, është diçka e mirë që samite të tilla të zhvillohen këtu sepse rrisin vizibilitetin e Shqipërisë, përhapin emrin e saj të mirë, jo vetëm si një vend që eksporton refugjatë dhe gomone, por edhe si një vend që në një moment të caktuar mund të shërbejë si një vend takimi, diskutimi dhe ku nuk ndodh gjë e keqe, që ka një shtet të dobët, me të këqija, por që në fund fare shihet se vijnë nivele të larta përfaqësimi, asgjë nuk ndodh dhe eventet dhe formatet konsumohen në mënyrë normale nga fillimi deri në fund.”, u shpreh Minxhozi.
Një koment pati edhe për deklaratën e Macron për të dërguar trupa tokësorë në Ukrainë, e cila u hodh poshtë nga NATO. Minxhozi tha në studion e ABC Neës, se nëse perëndimi do të dërgonte ushtarë në Ukrainë, do të thoshte përfshirje direkte në luftë me Rusinë.
“Debat që mori hov nga një deklarata e Macron, e cila më pas u shpejtua që të hidhet poshtë nga Stoltenberg dhe kancelari gjerman. Të gjitha vendet rikonfirmojnë se nuk do të ketë luftë tokësore në Ukrainë sepse përfshirja e NATO-s në këtë konflikt me persona, jo vetëm me armatim, do të thotë de facto luftë ndaj Rusisë dhe kjo hap skenarë që janë të frikshme dhe ka një arsye pse nuk ka ndodhur deri tani.“, shtoi ai./abcnews.al

