“Dirigjent i simfonisë tonë”, “Dardanët” e Ballkanit rinovojnë kontratën me Ilir Dajën

schedule22:16 - 26 Shkurt, 2024

schedule 22:16 - 26 Shkurt, 2024

Klubi i Ballkanit nuk ka pritur verën për të marrë vendimin për të ardhmen e Ilir Dajës. Klubi kampion i Kosovës, i shpallur dy sezone radhazi pikërisht nën drejtimin e trajnerit shqiptar, ka vendosur t’i rinovojë kontratën atij.

Ka qenë pikërisht klubi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, që ka bërë të ditur se ka gjetur akordin dhe është firmosur marrëveshja për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2026, duke vazhduar punën që është shoqëruar deri tani me dy pjesëmarrje radhazi në fazën në grupe të Conference League.

“Ne ia kemi besuar dirigjencën e “simfonisë” tonë.  Ai me “orkestren” e tij, kompozoi perla të pavdekshme, të cilat tashmë janë gdhendur në partiturat e  historisë. Ne i kemi besuar të na prijë betejave. Ai me “kalorësit” e tij, ngriti fronin e lavdisë! Andaj ai padyshim që mbetet njëri prej nesh.

Zonja dhe zotrinjë, tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar, Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026. Bashkë kemi nisur t’i shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë! Na priftë e mbara!”,- thuhej në njoftimin e klubit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!