E prisnim “si ujët e paktë”. Ernest Muçi nuk është ende njëri nga heronjtë kryesorë të kombëtares shqiptare, por ky lojtar 22-vjeçar ka kaq shumë elegancë e talent, saqë mezi pritet të ketë sukses. Më në fund, ai e realizoi golin e tij të parë në Turkiye Superlig, dhe kjo ndodhi në ndeshjen e tij të tretë.
Të jesh titullar i padiskutueshëm te Besiktas nuk është gjë e vogël, por Muçi padyshim që pret më shumë nga vetja. Në krah të yllit të Kosovës, Milot Rashicës, dhe të sulmuesit të rëndësishëm turk, Cenk Tosun, ish-“ylli” i Bardhebluve të Tiranës shënoi golin e dytë në suksesin po 2-0 në fushën e Istanbulspor.
Trajneri Fernando Santos padyshim që duhet të ketë mbetur I kënaqur. Besiktas nuk pretendon për titull këtë sezon, pasi kjo është çështje e Fenerbahce dhe Galatasaray, por po ndërtohet skuadra për edicionin e ardhshëm.
Një i abonuar me golin në Turkiye Superlig është padyshim Rey Manaj, me sulmuesin “Kuqezi”, që po kalon formën më të mirë të karrierës, shënoi sërish, këtë herë në fitoren 4-1 në shtëpi që Sivasspor arriti ndaj rivalit Pendikspor.
Manaj shënoi për 3-1, në mënyrën e tij individuale, dhe tani ka 14 rrjeta në elitën turke, po aq sa Mauro Icardi i Galatasaray, e një më shumë se polaku Piatek. Shqiptarin e ndajnë 4 rrjeta nga kryegolshënuesi i Superlig, Edin Dzeko, pra është në garë për “Këpucën e Artë”. /i.m /abcnews.al