Daja: Vetëm Otto John kam, arbitrat po e bëjnë rrugë me ne!

schedule20:09 - 28 Tetor, 2019

schedule 20:09 - 28 Tetor, 2019

Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, ka analizuar atë që ekipi i tij shfaqi në ndeshjen me Flamurtarin. Tekniku i korçarëve, në lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” deklaroi: “Shpërdoruam shumë, deri kur pësuam. Mund të shënonim shumë, por nuk ia dolëm për humbje të përqendrimit para portës, ose nxitim të mesfushorëve e sulmuesve. Në pjesën e dytën humbëm ekuilibrat dhe mund të pësonim, por edhe të fitonim. Ta fillosh lojën aq mirë dhe të kalosh në avantazh, si dhe të kesh raste, nuk e di pse ndodh kjo në pjesën e fundit të së parës. Mund të shkonim në dhoma me një avantazh që do na jepte qetësi.

FINALIZIMI – “Oto Xhon del shumë para porte dhe është pozitiv ky fakt. Moshën e ka të re, 90 minutat i luajti sepse nuk kisha me kë ta ndërroja. Tentuam ta fitonim ndeshjen dhe luajti 90 minuta. Shpërdoron, por është një lojtar që ka vlera. Duhet pritur pak që t’i shfaqë”.

GJYKIMI – “Nuk po merrem me kundërshtarët, por më bën përshtypje se në disfavorin tonë ka gola të mohuar e penallti të padhëna. Kjo pjesë po bëhet si vazhdë. Skënderbeu është po ai Skënderbe që ka qenë dhe dalim në fushë të respektojmë kampionatin. Edhe në ndeshje të rëndësishme, që kemi pasur me kundërshtarë për titull, jemi arbitruar nga arbitra që nuk kanë eksperiencën e duhur.

Këtë nuk e kam për sot, pasi ishte një djalë që u mundua të kontrollonte lojën. Në çdo ndeshje faqja e kronikës është në dëmin tonë. Ajo që më mban te Skënderbeu, pavarësisht çfarë momenti kalon, është ekipi që në dekadën e fundit që i ka dhënë tonin kampionatit”, tha Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!