Borrell: Takimet me Kurtin dhe Vuçiçin në Mynih, të pasuksesshme

schedule10:21 - 26 Shkurt, 2024

schedule 10:21 - 26 Shkurt, 2024

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ka pasur takime “të pasuksesshme” me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, sa i përket shtensionimit të situatës mes dy shteteve.

Në një artikull të publikuar pas mbajtjes së Konferencës së Sigurisë në Munih lidhur me agjendën gjeopolitike të BE-së, Borrell përmendi edhe takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 16 shkurt dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shkruan REL.

“Me presidentin e Serbisë Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, diskutova, në takime të ndara, se si të shtensionohet situata mes dy shteteve, por fatkeqësisht pa sukses”, theksoi Borrell.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur pasi që nga 1 shkurti ka nisur të zbatohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar dinarin serb.

Bashkimi Evropian po kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut, por Kosova ka thënë se rregullorja e BQK-së nuk është temë e dialogut.

Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, pasi ka argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!