Katër liderë perëndimorë mbërritën në Kiev të shtunën për ta shfaqur mbështetjen e tyre për Ukrainën në ditën e dyvjetorit të pushtimit të saj nga Rusia, i cili u ka kushtuar me jetë dhjetëra mijëra njerëzve dhe e ka shkatërruar ekonominë e vendit.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës , Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Qëllimi i pranisë së tyre në Ukrainë është të theksohet përkushtimi i Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën, e cila është duke vuajtur nga mungesa në rritje e furnizimit ushtarak, gjë që është duke pasur ndikimin në fushëbetejë, ku Moska po arrin të fitojë territor.
Von der Leyen shkroi në rrjetin social X se ajo shkoi në Kiev “për ta festuar qëndresën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas”.
“Më shumë se kurrë më parë, ne qëndrojnë fuqishëm pranë Ukrainës. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht, moralisht. Derisa ky vend të jetë i lirë përfundimisht”, shtoi ajo.
Meloni dhe Trudeau pritet të nënshkruajnë pakte të sigurisë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër në Kiev, në përputhje me marrëveshjet e arritura së fundmi me Francën dhe Gjermaninë, të cilat kapin vlerën e miliarda dollarëve.
Megjithatë, pakoja me ndihmë prej 61 miliardë dollarë nga presidenti amerikan, Joe Biden, është duke u bllokuar nga republikanët në Kongresin amerikan, duke i zbehur shpresat e Kievit për ta zmbrapsur një ushtri ruse shumë më të madhe, më të mirë dhe të furnizuar më mirë.
Biden pritet të marrë pjesë në një videokonferencë me liderët e tjerë të grupit të demokracive të mëdha, G7, të shtunën.
Kur tanket dhe këmbësoria ruse u futën matanë kufirit para agimit më 24 shkurt 2022, 40 milionë banorët e Ukrainës i tejkaluan pritjet – si dhe planin më të mirë të Kremlinit – duke u mbajtur fort dhe duke e shmangur disfatën që shumë njerëz e prisnin.
Para mbërritjes në Ukrainë, Trudeau shkroi në X se Kanadaja dhe aleatët “i dërgojnë mesazh të qartë [Rusisë]: Ukraina nuk do të mposhtet në luftën e jashtëligjshme të Putinit”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, në një deklaratë për të shënuar përvjetorin, tha se duke e sulmuar Ukrainën, Rusia “po e shkatërron gjithashtu paqen në Evropë”. Ai u bëri thirrje gjermanëve dhe të gjithë evropianëve që “të bëjnë edhe më shumë, në mënyrë që ne të mund të mbrohemi në mënyrë efektive”.
Të premten, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian njoftuan për runde të reja të qindra sanksioneve kundër Rusisë dhe zyrtarëve përgjegjës për luftën.
Ukrainasit kanë luftuar ashpër preje se Rusia e filloi pushtimin me qindra mijëra trupave më 24 shkurt 2022, pasi presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të hidhte dyshime mbi kombësinë ukrainase dhe përfundimisht tha se qëllimi i Moskës ishte “denazifikimi” dhe çmilitarizimi i Qeverisë së Ukrainës.
Por ishte gjithashtu kulmi i një grabitjeje toke që kishte filluar tetë vjet më parë në vitin 2014, kur Rusia pushtoi fshehurazi dhe më pas aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe filloi t’i mbështesë shumë separatistët e armatosur ukrainas në Ukrainën lindore.
Kombet e Bashkuara kanë votuar me shumicë dërrmuese për të mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
Bashkimi Evropian arriti të kalojë paketën e tij të ndihmës prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën në fillim të këtij muaji, pavarësisht hezitimit nga Hungaria dhe fjalëve për lodhjen e Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha në një deklaratë të regjistruar për përvjetorin se “situata në fushën e betejës mbetet jashtëzakonisht serioze” dhe “qëllimi i presidentit Putin për ta mbizotëruar Ukrainën nuk ka ndryshuar dhe nuk ka indikacione se ai po përgatitet për paqen. Por, ne nuk duhet ta humbim shpresën”.
Në fillim të kësaj jave, Stoltenberg i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se aleanca është një përparësi që as Rusia dhe as Kina nuk mund ta kenë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 23 shkurt, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se “qëllimi i Rusisë është të shkatërrojë Ukrainën dhe ata janë mjaft të hapur për këtë”, duke shtuar se “arsyeja e vetme për këtë luftë ka qenë dhe mbetet që Rusia t’ia mohojë Ukrainës të drejtën për të ekzistuar, si dhe pushtimi i vazhdueshëm kolonial i saj.”
Forcat ruse javën e kaluar pushtuan qytetin kryesisht të shkatërruar lindor të Avdivka, ndërsa trupat e mbetura ukrainase u tërhoqën për shkak të mungesës, duke ia mundësuar Moskës të fitojë territor të rëndësishëm pas gati një viti.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Kongresit amerikan ta kalojë një pako prej 60 miliardë dollarësh ndihmë për vendin e tij, për t’u mbrojtur kundër forcave pushtuese të Rusisë, duke thënë se kjo është alternativë më e lirë sesa pasojat e një fitoreje ruse.
Në një intervistë për televizionin konservator Fox Neës më 22 shkurt, dy ditë para përvjetorit të dytë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia – Zelensky paralajmëroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të futet edhe më thellë në Evropën Lindore nëse e zapton Ukrainën.
I pyetur se kur do të përfundojë lufta, Zelensky tha se kjo varet nga vendosmëritë e Perëndimit. Ai tha se Perëndimi druhet se çfarë do të ndodhë me Rusinë – fuqinë e dytë më të madhe bërthamore në botë – nëse e humb luftën.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”, tha Zelensky. /REL