Një apartament cili deri dje ka qenë pronë e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla tani është kthyer në një qendër për sipërmarrje sociale dhe për t’i ardhur në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël.
Apartamenti që ndodhet në shëtitoren e Plazhit të Durrësit është konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është kthyer në “Qendrën Art dhe aktivizëm’ për përurimin e së cilës ishin ministri I Brendshëm Taulant Balla dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë.
“Sot jemi, do ta quaja si qershi mbi tortë, në një pronë që është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, i cili këtë apartament nuk e justifikonte dot me të ardhurat e veta. Ky është një rezultat i prekshëm i reformës në drejtësi dhe një mesazh i qartë kundër gjithë skeptikëve dhe kundërshtarëve të reformës në drejtësi”, u shpreh Ministri i Brendshëm.
Burime konfirmuan se apartamenti ishte në pronësi të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla i cili që prej vitit 2021 vijon të jetë në arrati.
Ministri i Brendshëm nxiti organizatat jofitimprurëse të aplikojnë për projekte që mbështetin të reja e gra, pre e dhunës. Ai tha se një pjesë e pronave të bllokuara do të përdoren për familjet e Dëshmorëve të Policisë, rënë në krye të detyrës./abcnews.al