Interi po negocion me Barcelonën me qëllim transferimin e ndonjë lojtari në merkaton e janarit. Arturo Vidal dhe Ivan Rakitic janë dëshirat e mëdha të Antonio Contes. Më shumë mundësi ka mbërritja te mesfushori kroat, i cili e ka humbur statusin e titullarit.
Ardhja e De Jong e ka ulur në stol Rakitic. Vetëm 203 minuta aktivizim mes kampionatit dhe Champions League janë tepër pak dhe 31-vjeçari po mendon opsionin zikaltër. Barcelona është gati ta shesë, por me një kusht.
Katalanasja Sport raporton se kampionët e Spanjës kanë kërkuar një lojtar në shkëmbim. Stefano Sensi pëlqehet shumë nga trajneri Valverde. Mesfushori italian erdhi në verë nga Sassuolo dhe po zhvillon paraqitje pozitive me Interin.
Për momentin qëndron pushim si pasojë e një dëmtimi, ndërsa janari mund t’i realizojë ëndrrën e madhe. Sensi është një tifoz i thekur i Barcelonës dhe luajtja në “Camp Nou” në krah të Leo Messit është maksimumi. /abcnews.al