Dy golat e Saul dhe Moratës i dhuruan fitoren Atletico Madrid në “Wanda Metropolitana” kundër Athletic Bilbao. Fitore e pastër për ekipin e Simeones në një duel ku heroi ishte portieri. Jan Oblak. Slloveni, prej vitesh një ndër më të mirët në rolin e tij, kreu disa pritje fantastike që nuk lejuan miqtë baskë të gjenin golin.
Diego Simeone nuk i kurseu elozhet për të pas ndeshjes, duke u shprehur se Oblak është portieri më i mirë në botë dhe po rritet nga viti në vit. Të njëjtin mendim me trajnerin e ekipit “colchoneros” ndan edhe Alvaro Morata.
“Pa dyshim që Oblak është portieri më i mirë në botë. Jan e tregon çdo ditë që është numri një dhe shpresoj që meritat t’i njihen sa më shpejt”, thekson sulmuesi spanjoll.
Oblak nuk u përfshi në 30 kandidatët për fitimin e “Topit të Artë” të këtij viti. Vendimi i France Football nuk është pritur mirë në kampin madrilen dhe trajneri e sulmuesi kanë tentuar t’i rrisin sadopak moralin portierit slloven pas fitores së fundit. /abcnews.al