Shoqërohen në polici dy persona pas tensioneve dhe sulmeve që shkaktuan gjatë protestës së opozitës. Mbështetësit e Foltores sulmuan punonjësit e policisë dhe hodhën molotov drejt godinës së kryeministrisë. Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se pritet që të ketë edhe verifikime të tjera.
“Protestuesit janë shpërndarë. Protestuesit kanë hedhur gardhin metalik që ishte vendosur para kryeministrisë ndërsa kanë shkulur edhe vazot me lule për të qëlluar në drejtim të policisë. Kanë hedhur edhe disa shishe molotov të përgatitura artizanalisht duke i hedhur drejt kryeministrisë.
Pas këtyre akteve, ka pasur edhe disa shoqërime nga ana e policisë, pasi kanë qenë agjentët që kanë ndërhyrë për t’i shoqëruar këta persona që hodhën shishet molotov. Pak sekonda më parë u larguan edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë që kishin krijuar me veshjet e posaçme një perimetër sigurie, që të mos hynin protestuesit brenda gardhit. Fatmirësisht nuk pati asnjë person të lënduar “, raportoi gazetari./abcnews.al