Një rrjet i rëndësishëm i trafikut të drogës, nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Evropian është goditur nga policia spanjolle në koordinim me Europol, ku morën pjesë Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK)
Operacion ndërkombëtar i koduar “La Pampa” shënoi: 31 arrestime, në Spanjë dhe Ekuador, sekuestrimin e 25 automjeteve, 10 armë zjarri, pajisje elektronike me vlerë rreth 13 milionë euro dhe afro 3 milionë cash në valuta të ndryshme dhe pasuri të sekuestruara me një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro.
Sipas një deklarate nga Europol, një shtetas shqiptar ishte ‘orkestruesi’ i transportimit të kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e saj më pas në vendet e Bashkimit Evropian.
“Autoritetet ligjzbatuese nisën një hetim për një biznesmen italian me origjinë argjentinase me banim në Marbella. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se këto kompani përdoreshin për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe transaksioneve financiare. Autoritetet identifikuan lidhjen kriminale të biznesmenit me një shtetas shqiptar me banim në Ekuador. Shtetasi shqiptar orkestroi importimin e kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e saj më pas në BE. Informacionet operative tregojnë se biznesmeni kishte një marrëveshje kontraktuale me furnitorët kolumbianë për të marrë 4 ton kokainë çdo muaj në Ekuador”, thuhet ndër të tjera./abcnews.al