Pas plot 14 vitesh, që kur ndodhi, tekniku portugez, Jose Mourinho ka komentuar edhe “autobusin” e famshëm, startegji kjo, që u përdor nga mjeshti “luzitan” i pankinës, në sfidën e kthimit, ndaj “Katalanasve” të Barcelona, në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, e cila përfundoi me rezultatin 1 me 0, në favor të spanjollëve, por sërish nuk mjaftoi për të eleminuar, “Zikaltërit” e Inter, nga kompeticionit.
Kështu, gjatë një interviste, Jose Mourinho, siç theksuam edhe më lart është rikthyer të flasë për vitin e “tripletës” me “Zikaltërit” e Inter, dhe pikërisht për gjysmëfinalen e kthimit ndaj “Katalanasve”, në “Camp Nou”, ku asokohe trajneri portugez u kritikua jo pak për tërheqjen e skuadrës në mbrojtje për minuta të tëra, dhe tanimë duket se portugezi ka vendosur të shpjegojë edhe arsyet e atij vendimi.
“Ndeshjen e parë e trajtova me dëshirën për ta fituar dhe ia dolëm të triumfojmë 3-1. Në “Camp Nou” thonë se parkuam autobusin, por harrojnë se ne luajtëm me 10 lojtarë që prej minutës së 28’ dhe kishim përballë skuadrën më të mirë të kohës, me lojtarë si Messi, Xavi, Iniesta, Busquets, Pique, Ibrahimoviç, etj.
Kur ke për të arritur një objektiv mund të përdorësh çdo strategji të mundshme dhe kjo quhet inteligjencë taktike. Nuk jam penduar për atë vendim, pasi bëmë një ndeshje të madhe dhe në fund arritëm finalen. Nuk më interesonte aspak se çfarë do të thoshin komentatorët e specialistët e studiove”,- është shprehur “Special One”.
Ndërkaq, kujtojmë se pasi eleminoi skuadrën e Barcelona, në gjysmëfinalet e Champions League, “Zikaltërit” u përballën në finale, me “Bavarezët” e Bayern Munich, ku triumfuan me rezultatin e pastër, 2 me 0, pas një dopiete të argjentinasit, Diego Milito e në krahun tjetër siguruan edhe titullin e Serie A, si dhe atë të Kupës së Italisë, duke u bërë ekipi i parë, që siguron tripletën, në historinë e futbollit italian. /i.m /abcnews.al