Vrasja e 15 vjeçarit në Gramsh, dalin para gjykatës katër të miturit

schedule09:33 - 15 Shkurt, 2024

schedule 09:33 - 15 Shkurt, 2024

Dalin sot para gjykatës së Elbasanit katër të miturit që akuzohen për vrasjen e 15 vjeçarit Fatjon Bici në Gramsh. Këtë të enjte pritet të jepet vendimi për dënimin e tyre, raporton gazetarja Edisona Skënderi.

Ndaj të miturve Orgito Çarçiu, Ergi Karaj, Stiven Murati dhe Xhonatan Çekrezi rëndon vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim.

Po ashtu ata akuzohen edhe për veprën “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në fazën e tentativës pasi qëlluan me thikë dy të mitur të tjerë, të cilët u përfshinë në konflikt por për fat të mirë nuk pësuan dëmtime të rënda.

Ndaj adoleshentëve është ngritur edhe akuza “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta ”. Për të gjitha veprat penale që rëndojnë ndaj tyre, të miturit rrezikojnë deri në 15 vite burg.

Vrasja e Fatjon Bicit ndodhi në 16 maj pranë një shkolle në Gramsh, ku një grup djemsh kishin ardhur nga një zonë tjetër për të sqaruar një konflikt banal që kishin pasur më herët. Por debati agravoi në përplasje fizike mes tyre, ku Bici u plagos me thikë dhe ndërroi jetë më pas në spital./abcnews.al