Mund të thuhet me plot gojë se janë surpriza e këtij sezoni, në elitën e futbollit spanjoll. Girona po zhvillon një edicion fantastik, teksa deri më tani renditet në vendin e 2-të të tabelës, duke “parakaluar” emra të mëdhenj, në gadishullin “iberik”, si Barcelona, Atletico Madrid, Athletic Bilbao, Real Betis, Valencia e Sevilla.
Padyshim ndër protagonistët kryesorë të këtij sezoni është edhe “gardiani” 32-vjeçar i portës, Paulo Gazzaniga, me argjentinasin, i cili ka shkëlqyer me paraqitjet e tij, aq sa ka mahnitur edhe bordin e skuadrës “Katalanase”, me këta të fundit, që kanë vendosur t’i “dhurojnë një kontratë të re.
Gazzaniga erdhi në huazim te Girona në shtatorin e vitit 2022, ndërkohë që klubi iberik e bëri të vetin përfundimisht gjatë verës së vitit të kaluar, ndërsa mesditën e kësaj të mërkure hodhi firmën në një marrëveshje të re, e cila tashmë skadon në verën e vitit 2027, ndërsa paga nuk dihet ende nëse ka ndryshuar apo jo.
Ndërkaq, kujtojmë se “veterani” argjentinas i portës, më parë ka luajtur me skuadra si Fulham, Tottenham, Southampton, Elche, Rayo Vallecano dhe Gillingham, ndërsa 6 vite më parë debutoi me kombëtaren albiceleste në miqësoren e fituar 2-0 përballë Meksikës. Që rezulton me ndeshjen e vetme të tij me Argjentinën. /i.m /abcnews.al

