Operacionet ushtarake në qytetin Rafah të Gazës, Biden dhe Mbreti i Jordanisë të shqetësuar

schedule16:01 - 13 Shkurt, 2024

schedule 16:01 - 13 Shkurt, 2024

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, udhëheqësi i parë arab që viziton Shtëpinë e Bardhë që nga 7 tetori, u takua me presidentin Biden për të diskutuar për një marrëveshje për pengjet dhe për të ardhmen e Gazës, ndërkohë që Izraeli ka filluar operacionet të hënën në qytetin jugor Rafah. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, Jordania kërkon vendosjen e një armëpushimi, ndërsa presidenti Biden u duk se kritikoi gjatë fundjavës strategjinë e Izraelit.

Në qytetin Rafah, në jug të Gazës, forcat izraelite sulmuan të hënën për të liruar dy pengje që mbaheshin që nga sulmi që bëri Hamasi në Izrael në 7 tetor. Gjatë operacionit në Rafah u vranë të paktën 67 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Rreth 1.5 milionë palestinezë strehohen në këtë qytet ku popullsia është pesëfishuar që nga fillimi i luftës.

Presidenti Joe Biden dhe mbreti i Jordanisë, Abdullah II, ranë dakort të hënën që të vazhdojnë të përpiqen për lirimin e pengjeve dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë.

Por, qëndrimet e tyre për operacionin në Rafah janë të ndryshme dhe presidenti Biden përsëriti paralajmërimin për kryeministrin e Izraelit.

“Operacioni i gjerë ushtarak në Rafah nuk duhet të vazhdojë pa një plan të qëndrueshëm, një plan që do të garantonte sigurinë dhe mbështetjen për mbi 1 milion persona që strehohen atje. Ata duhet të mbrohen. Kemi qenë gjithashtu të qartë nga fillimi: Jemi kundër zhvendosjes me forcë të palestinezëve nga Gaza”, tha presidenti Biden.

Mbreti jordanez foli edhe më haptazi. “Nuk mund të lejohet një sulm izraelit në Rafah. Do të sjellë me siguri një tjetër katastrofë humanitare. Na duhet menjëherë një armëpushim i qëndrueshëm. Kjo luftë duhet të marrë fund”, tha mbreti jordanez.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se “ata që thonë se nuk duhet të hyjmë në asnjë rrethanë në Rafah, në thelb po thonë që ta humbasim luftën”.

Që kur filloi konflikti, presidenti Biden ka ndryshuar qëndrimin fillestar në mbështetje të Izraelit, duke ngritur në vazhdim pikëpyetje për hapat që Izraeli po ndërmerr. Javën e kaluar, ai e përshkroi si të ekzagjeruar reagimin ushtarak të Izraelit në Gazë.

“Një pauzë humanitare, një pauzë e zgjatur më shumë se ajo prej vetëm një jave që pamë në nëntor, që do të mundësonte lirimin e pengjeve, dërgimin e më shumë ndihmave dhe të shpresojmë se do të sillte bisedime të mëtejshme drejt dhënies fund të konfliktit”, tha John Kirby, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Zyrtarët e organizatave të ndihmave thonë se faza e re e konfliktit në Rafah është “tmerruese”.

“Një numër jashtëzakonisht i lartë civilësh, shumica fëmijë dhe gra, mund të vriten apo plagosen. Kemi paralajmëruar kundër veprimeve që shkelin ligjet e luftës. Mundësia e një operacioni të tillë në Rafah, rrezikon të sjellë mizori të mëtejshme. Bota nuk duhet ta lejojë këtë të ndodhë”, tha Ravina Shamsadani, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për të drejtat e njeriut, UNHCR.

Hamasi, një organizatë që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë grup terrorist, sulmoi më 7 tetor Izraelin duke vrarë 1200 persona dhe duke shkaktuar luftën. Kjo organizatë i ka përshkruar operacionet në Rafah si “gjenocid”.

Ndërkohë, për njerëzit në Gazë, nuk ka ndonjë tregues se kur do të marrin fund vuajtjet e tyre./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!