Shërbimet e sigurisë dhe ushtria izraelite njoftuan se liruan dy pengje që u rrëmbyen më 7 tetor nga militantët e Hamasit gjatë një operacioni të kryer gjatë natës në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Pengët u dërguan në spitalin Sheba, në Izraelin qendror. Mjekët konfirmuan se ata janë “në gjendje të mirë”.
Në një deklaratë në mediat sociale, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se gjatë një “operacioni të përbashkët brenda natës midis IDF, ISA [Agjencia e Sigurisë së Izraelit ose Shin Bet] dhe Policisë së Izraelit, dy pengje izraelite nga Kibbutz Nir Yitzhak u shpëtuan: Fernando Simon Marman (60 vjeç) dhe Louis Har (70)”.
Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant e përshkroi operacionin e shpëtimit si “mbresëlënës”. Ai shtoi: “Ne do të vazhdojmë të përmbushim zotimin tonë për t’i kthyer të rrëmbyerit, në çdo mënyrë.” Mediat izraelite raportojnë se pengjet ishin mbajtur në katin e dytë të një ndërtese në Rafah.
Ushtria izraelite nisi operacionet e saj në Rripin e Gazës pasi më shumë se 1200 njerëz u vranë në jug të Izraelit më 7 tetor nga persona të armatosur të Hamasit, të cilët gjithashtu morën peng rreth 240 njerëz. Një numër i atyre pengjeve u liruan më vonë.