Aplikimi i kartonit blu, Jurgen Klopp: Çfarë janë këto rregulla?

schedule20:29 - 9 Shkurt, 2024

schedule 20:29 - 9 Shkurt, 2024

Ideja më e fundit në botën e futbollit është aplikimi i kartonit blu si një formë ndëshkimi i përkohshëm për një futbollist. Kartoni blu do të jepej në rastet kur arbitri nuk është i vendosur për kartonin e kuq dhe në këtë formë do të akordonte atë blu, për ta përjashtuar një futbollist për dhjetë minuta.
Këtë ide e komentoi së fundmi trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp. Gjermani është qartësisht kundër kësaj ideje duke theksuar se ata që vendosin rregullat në futboll, nuk kanë pasur kurrë një ide të mirë dhe të duhur ndërsa shtoi se po e komplikojnë më kot futbollin.

“Unë mendoj se futbollin duhet ta mbajmë të thjeshtë pasi kështu është më e lehtë edhe për arbitrat. Nëse shtojmë një tjetër karton, atëherë shtojmë edhe më shumë polemika, më shumë diskutime. Njerëzit do të nisin të diskutojnë nëse ishte karton i kuq apo karton blu. Këto vetëm sa e komplikojnë më shumë futbollin.

Ata po e testojnë këtë ide dhe unë nuk e kam problem, por nëse e vendosin si rregull nuk e di si ta komentoj. Nuk më duket një ide e bukur dhe të them të drejtën ata që merren me rregullat nuk kanë pasur kurrë ide të bukura mbi futbollin”, u shpreh Klopp./ h.ll/abcnews.al