Halili: Mema njeri i shkëlqyer, e shkarkuan rezultatet. Ja pse zgjodhëm Ahmatajn

schedule17:15 - 25 Tetor, 2019

schedule 17:15 - 25 Tetor, 2019

Një epokë e re pritet të nisë te Tirana. Ardian Mema nuk është më trajneri i ekipit dhe në vend të tij është ulur Julian Ahmataj. Refik Halili ka prezantuar trajnerin e ri të bardhebluve. Presidenti ka sqaruar këtë vendim përpara nisjes së seancës së sotme stërvitore.

Halili flet për largimin e Memës dhe nuk zbulon detajet e akordit me trajnerin e ri. Për merkaton do të vendosë stafi, teksa kreu i klubit bardheblu ndalet te gjendja e skuadrës dhe ka një mesazh për lojtarët.

MEMA – “Tirana ka presion në çdo moment dhe duhet të mësohemi me presion. E thamë edhe në dhomat e zhveshjes, kush vesh bluzën tonë duhet të mësohet me presionin. E larguam Memën për shkak të rezultateve. E falënderoj profesorin. Diskutuam me të dhe pranoi të largohet. Ai është një person tolerant dhe i mrekullueshëm”.

MARRËVESHJA – “Nesër do e firmosim kontratën e re dhe do e merrni vesh të gjithë. Folëm për të ardhmen, nuk kishim kohë të diskutonim për kontratën, që është gjëja e fundit për mendimin tim. Do jemi transparentë, do e shihni të gjithë. Do doja të mbyllja sezonin me Memën në stol. Ndjej keqardhje, është një person i jashtëzakonshëm, por në futboll rezultatet të detyrojnë të vendosësh dhe marrësh vendime”.

KANDIDATURAT – “Telefoni është i mbushur plot, por vendosa të zgjedh brenda familjes, te futbollistët që kanë luajtur më parë me Tiranën. Mendoj se kemi bërë zgjidhjen e duhur”.

MERKATO – “Është shpejt për të folur për merkaton. Do të flasë stafi teknik në fillim dhe ne do i mbështesim”.

AHMATAJ – “Trajneri e njeh skuadrën. Kohë nuk ka, luajmë pasnesër, të shohim çfarë do të bëjë Ahmataj. Shpresoj të ndodhë ndryshimi. Skuadra ka një kontingjent të mirë prej 7-8 vitesh. Kemi në ekip lojtarë që kanë fituar tituj. Kam besim, por çunat duhet të bashkohen që të ecim përpara”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!