FIFA e UEFA hapin “thesin”, shtohen ndeshjet, por edhe paratë që do të fitojnë klubet e futbollit

schedule12:56 - 6 Shkurt, 2024

schedule 12:56 - 6 Shkurt, 2024

Në një kohë që klubet, trajnerët dhe lojtarët ankohen për ndeshjet e shumta dhe kalendarët e ngjeshur, FIFA dhe UEFA zbusin qëndrimet e tyre duke derdhur lumë paratë.  Botërori i ri i Klubeve që do të nisë në verën e vitit 2025 dhe formati i ri i Champions League do të rrisë ndjeshëm numrin e sfidave gjatë një sezoni, por në të njëjtën kohë edhe të ardhurat në arkat e klubeve.

Kështu, FIFA ka vendosur të shpërndajë 2.5 miliard euro për “krijesën” e saj të re. Sipas llogarive, çdo skuadër që do të marrë pjesë në fazën e grupeve të Botërorit për Klube do të fitojë 50 milion euro. Kjo shifër do të rritet pas çdo raundi të turneut, ndërsa fituesi do të marrë 100 milion euro.

Akoma më dorlëshuar do të jetë UEFA, që për formatin e ri të Champions do të shpërndajë për klubet 2.7 miliard euro çdo edicion. Kjo është një përgjigje e qeverisë europiane të futbollit ndaj kërcënimit të European Superleague. Kështu, të ardhurat e klubeve pjesmarrëse do të rriten me 30%.

Po ashtu, FIFA dhe UEFA po punojnë për të ndryshuar edhe afatet në tregun e transferimeve, duke shtyrë zgjatjen e përfundimit të kontratave për lojtarët, nga qershori deri në muajin shtator. Kjo do të thotë një shtyrje edhe të merkatos së verës në futbollin botëror. /i.m /abcnews.al