ITALI- Shqipëria dhe Italia finalizojnë të martën marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Itali gjatë së cilës do të firmosë marrëveshjen me homologun Tajani.
Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona.
Vizita e ministrit Hasani në Itali shënon një angazhim të thelluar për zgjerimin e bashkëpunimit me Italinë në fusha me interes reciprok, në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik.
Procesi për njohjen e kontributeve ka nisur në vitin 2014, ndërsa marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane u arrit në korrik të vitit 2022.
Shqipëria dhe Italia do të krijojnë një fond specifik që do t’i japë fund problemit për kontributet shoqërore për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, por edhe për italianët që jetojnë në vendin tonë.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Marrëveshja reciproke bashkon vitet e kontributeve në të dy vendet dhe qytetari merr dy pensione të ndryshme në të dyja shtetet.
Janë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, ku më fund t’u njihen kontributet e tyre për të përfituar pension. Emigrantët shqiptarë, k kanë pritur për dekada që t’ju njihet kjo e drejtë/abcnews.al