Jep dorëheqjen komandanti i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, Gramoz Sako

schedule14:05 - 3 Shkurt, 2024

schedule 14:05 - 3 Shkurt, 2024

Komandanti i Përgjithshëm i Gardës së Republikës Gramoz Sako ka dhënë doreheqjen. Sako drejtonte prej vitit 2013 institucionin që kujdeset për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.

Kush është Gramoz Sako?

Gramoz Sako është lindur në Tepelenë, më 19 Janar 1971. Që prej vitit 2013 ushtron detyrën në funksionin e Komandantit të Gardës së Republikës.

Sako ka një eksperiencë të gjatë e të larmishme në fushën ushtarake. Pas diplomimit në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”, në vitin 1993 titullohet oficer. Eksperiencën e tij të punës e nisi duke kryer detyrën e Komandantit të Togës në Gardën e Republikës së Shqipërisë, e duke vijuar më pas me kryerjen e detyrave në funksione si: Zëvendës Komandant Kompanie, Përgjegjës i Grupit të Ruajtjes së Ministrit të Rendit Publik dhe Përgjegjës në Grupin e shoqërimit të Kryetarit të Kuvendit, Shef Seksioni në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe Specialist në Drejtorinë e Kufijve dhe të Migracionit. Më tej, prej vitit 2009 e në vijim, zhvilloi karrierën në sektorin privat si menaxher projektesh.

Gjatë karrierës profesionale, Sako ka kryer një sërë kualifikimesh e trajnimesh me drejtim kryesisht në fushën e rendit dhe sigurisë publike. Zotëron diplomë si “Specialist i lartë Policie” të lëshuar nga Akademia e Policisë “Arben Zylyftari” dhe diplomë në degën “E drejtë Penale” në ciklin e studimeve master shkencor në Universitetin “Ismail Qemali”. Po ashtu, është çertifikuar në kursin e zhvilluar nga SHBA për “Operacionet e Mbrojtjes”, trajnimin e zhvilluar nga Instituti Europian i Menaxhimit të Ligjit dhe Diplomacisë me tematikë “Gjuha e trupit dhe arti i negocimit”, e të tjerë.

Gjatë ushtrimit të karrierës në fushën e sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës është vlerësuar në shumë raste për rezultate të arrira të punës por veçanërisht përmendet medalja e dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, “Për shërbime ushtarake” me dekret nr.3861, datë 23.6.2006.

Në 4.4.2016, me dekretin nr. 9502 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, merr gradën “Gjeneral Garde”.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Sako mban gradën “Drejtues Madhor”./abcnews.al