Meloni-Orban, “çifti” i ri i fuqishëm i BE-së

schedule10:28 - 3 Shkurt, 2024

schedule 10:28 - 3 Shkurt, 2024

Nga Andrew Rettman, Euobserver

Kryeministrja italiane Georgia Meloni ndryshoi qasjen ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban për të dalë si një ndërmjetëse e fuqishme në samitin e BE-së të kësaj jave.

Por miqësia e tyre është më e brishtë se sa dukej, ndërsa Orban në fund mund të jetë një barrë për ambiciet e saj, sipas disa analistëve. Zyra e Melonit tha ajo ishte “lojtarja kryesore” në vendimin e Orban për të hequr veton e tij për financimin e Ukrainës.

Ajo u takua fillimisht me Orban kokë më kokë në një hotel në Bruksel të mërkurën mbrëma për keqtrajtimin e një të burgosuri italian në Hungari, një rast në lidhje me Ilaria Salis, një aktiviste italiane antifashiste, e cila është në gjyq për sulm në Hungari, raporton abcnews.al.

Më pas ajo u ul mes presidentit francez dhe kancelares gjermane me Orban, të enjten në mëngjes ku lideri hungarez i hapi rrugën Ukrainës. Dhe ajo e shpërbleu Orbanin duke qenë “e hapur kundër çdo rruge të Nenit 7 kundër Hungarisë” në samitin e së enjtes, tha një diplomat i BE-së.

Neni 7 i traktatit të BE-së u mundëson shteteve anëtare të pezullojnë të drejtat e votës së Orban në Këshillin e BE-së për shkak të abuzimit të rëndë të tij të sundimit të ligjit në Hungari.

Meloni vazhdoi ofensivën e saj të hijeshisë në konferencën e saj për shtyp pas samitit.

“Kështu funksionon në shumë shtete sovrane, madje edhe në Perëndim,” tha ajo, duke iu referuar mënyrës sesi autoritetet hungareze kishin lidhur me zinxhirë duart dhe këmbët e Salis në gjykatë javën e kaluar, duke provokuar zemërim nga publiku italian, raporton abcnews.al.

Orban u tha gazetave italiane La Repubblica dhe La Stampa se ai po vazhdonte me planet për t’u bashkuar me grupin politik të Melonit në Parlamentin Europian (PE), Konservatorët dhe Reformistët Europianë të krahut të djathtë (ECR).

“Ideja ishte të bashkohemi, por në këtë pikë do ta bëjmë këtë pas zgjedhjeve në PE në qershor.  Gjithsesi, përgjigja ime është po, ne jemi gati dhe do t’i bashkohemi konservatorëve”, tha ai të enjten në Bruksel.

Meloni dhe Orban kishin vlera të përbashkëta personale që i dhanë marrëdhënies së tyre njëfarë rëndësie, tha Francesco Galietti, nga firma e konsulencës politike me qendër në Romë, Policy Sonar.

Ajo e ka transformuar me sukses imazhin e saj nga ajo e një ish-fashiste në një udhëheqëse perëndimore kryesore që nga zgjedhja e saj dy vjet më pare.

Miqësia e saj me Orban mund t’i japë Melonit edhe më shumë peshë në kryeqytetet perëndimore nëse Donald Trump do të rifitonte pushtetin në zgjedhjet amerikane në nëntor.

“Nëse Trump fiton, ajo do të shihet si dikush i afërt me një nga të preferuarit e Trump në Europë dhe Orban është sigurisht një prej tyre”, tha Galietti.

Çifti i fuqishëm

Por nëse e gjithë kjo dukej sikur Meloni dhe Orban po bëheshin çifti i ri i fuqishëm i BE-së, ndikimi i saj tek ai mund të dukej më i madh se sa ishte në të vërtetë.

“Suksesi ka shumë baballarë. Dhe nëna,” tha një diplomat i dytë i BE-së, duke iu referuar presionit kolektiv ndaj Orbanit mbi Ukrainën nga disa liderë të tjerë në samitin e BE-së.

“Ajo nuk ka asnjë ndikim aktual në Orban,” tha Galietti.

“Edhe marrëveshjet e BE-së për emigrantët e shtyrë nga Meloni u përmbysën nga Orbán në të kaluarën,” shtoi ai.

Ngjarja e të burgosurve italianë me zinxhirë tregoi gjithashtu se sa të brishta ishin marrëdhëniet e tyre, tha Agnes Vadai, një deputete e opozitës hungareze.

“Mediat hungareze pro-qeveritare e sulmuan menjëherë Melonin si pjesë e bandës së Soros”, tha Vadai, duke iu referuar George Soros, një miliarder hebre, me të cilin Orban ka pasur shumë përplasje.

Qasja anti-ruse e Melonit, apo ndaj Kinës dhe thirrjet e saj për ndarjen e emigrantëve në BE do të vënë në provë miqësinë e saj me Orbanin, vuri në dukje Galietti.

Përkeqësimi i shpejtë i imazhit të liderit hungarez do të testojë gjithashtu “çiftin” nëse Meloni aspiron të bashkohet me klubin e liderëve të lartë perëndimorë.

“Ajo po i mbron bastet e saj, por në planin afatgjatë Orbán është një siklet për Melonin,” tha Galietti.

“Ajo e di se nuk mund të jetë në grup, por dëshiron të jetë e rëndësishme për grupin”, tha ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!