Ministri i Jashtëm i Jemenit i kërkon BE-së të rrisë presionin ndaj Houthis për sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq.
“Vetëm goditja e Houthis nuk do të mjaftojë. Ne kemi nevojë për zgjidhje afatmesme dhe afatgjata”, tha Ahmed Awad bin Mubarak, ministër i jashtëm në qeverinë e Jemenit me bazë në Aden, e mbështetur nga Arabia Saudite.
“BE ka një qasje të gabuar. Ata duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi Houthi-t, si p.sh. duke i cilësuar ata si një grup terrorist. Argumenti i tyre është se nëse e miratojnë këtë, atëherë kjo do të përkeqësojë situatën humanitare. Por kjo qasje nuk funksionoi. Houthi-t ende po shantazhojnë komunitetin ndërkombëtar dhe situata humanitare nuk është përmirësuar.”, shtoi ai.
Grupi jemenas, i cili kontrollon pjesët më të populluara të Jemenit, ka ndërprerë për javë të tëra transportin në zonën e Detit të Kuq, duke synuar anijet e lidhura me Izraelin për t’i bërë presion vendit për t’i dhënë fund sulmeve të tij në Gaza. SHBA dhe Britania e Madhe në shenjë hakmarrjeje kanë nisur sulmet ndaj objektivave Houthi në Jemen.
BE synon të nisë së shpejti misionin e saj detar në Detin e Kuq deri në mes të shkurtit për të mbrojtur anijet atje./abcnews.al