Më shumë se gjysma e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht dhe enklava e vogël palestineze tani është e pabanueshme pas gati katër muajsh të luftës së Izraelit kundër Hamasit, tha OKB. Do të duhen dhjetëra miliarda dollarë për ta bërë enklavën sërish të banueshme.
Në një raport nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, studiuesit e Agjencisë vlerësuan shkallën e shkatërrimit bazuar kryesisht në fotot satelitore me rezolucion të lartë, duke krahasuar imazhet e para 7 tetorit me ato pas pasi Izraeli filloi të godiste pa pushim Rripin e Gazës.
Mbledhja e të dhënave për raportin u ndal në fund të nëntorit, rreth dy muaj pas shpërthimit të konfliktit. Deri atëherë, 37,379 ndërtesa, ose 18% e totalit në Rripin e Gazës, ishin dëmtuar ose shkatërruar nga operacioni ushtarak. Që atëherë, fotografitë satelitore tregojnë se shkatërrimi është dyfishuar.
“Të dhënat e reja tregojnë se 50% e strukturave të ndërtesave në Rripin e Gazës janë (dëmtuar ose) shkatërruar (plotësisht)”, tha Rami Alaze, një ekonomist i CNUCED i specializuar në ndihmën për palestinezët. “Rripi i Gazës aktualisht është i pabanueshëm”, nënvizoi ekonomisti./abcnews.al