TIRANË- Partia Demokratike nën lidershipin e Sali Berishës do të shkojë drejt dekadencës së plotë.
Kështu u shpreh analisti i njohur Arben Meçe, në një lidhje live me “Ora e Fundit” në ABC News.
Ai theksoi se pa largimin e Berishës, fraksionet që janë aktualisht nuk mund të bashkohen dhe kurrsesi Partia Demokratike nuk mund t’u prezantohet shqiptareve si një alternativë fituese në zgjedhjet e ardhshme.
Ai u shpreh që jo vetëm deputetët, por edhe mbështetësit e PD e kanë kuptuar se me Sali Berishën lider të partisë nuk mund të shkojnë dot përpara, pasi emri i tij është njollosur nga partneri më i madh i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-kryeministri është shpallur “non grata” nga DASH dhe aktualisht është marrë nën hetim nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
“Ajo parti me Berishën është në dekadencë të plotë. Pritshmëria më e madhe, është domosdoshmëria e largimit të Berishës dhe më pas bashkimi i të gjithë fraksioneve, që janë në konjukturën opozitare. Berishën e shoh të larguar përfundimisht. Edhe atë që kanë qenë afër Berishës, po bindin një bazë të gjerë, se me Berishën nuk mund të ecin, sepse atë mund ta shohin si ikonë të tyre, por s’mund ta shohim më si lider. Nuk ka gjasë të vazhdojë të jetë lider i opozitës. Riformatim pa Berishën dhe riformatim i grupeve pa Berishën”, tha ai.
Lidhur me vizitën e Gazment Bardhit në Amerikë, analisti tha se ai po jep mesazhe se kur të kthehet do të bashkohet me “Rithemelimin”, por jo me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Sipas Meçes, nëse grupet aktuale të PD-së nuk bëjnë shkëputjen e plotë nga Berisha, ajo do mbetet një parti në minorancë dhe e pafuqishme për të marrë pushtetin në garat elektorale.
“Bardhi nga Amerika po jep mesazhe të qarta, që do të bashkohet me grupin e Berishës, por gjithmonë pa Berishën. Po prodhojnë bindjen e plotë se me Berishën nuk vazhdohet më. Ajo do vazhdojë të jetë inekzistente si aktor pushtet-marrës, dhe do vazhdojë të jetë ekzistente si një askioner në jetën politike, por në minorancë”, u shpreh ai./ n.m.abcnews.al